Një burrë nga Filadelfia u lirua nga burgu të martën pas 37 vitesh në një rast të montuar nga detektivët, të cilët dyshohet se i ofruan një dëshmitari seks dhe drogë në vitin 1983 në këmbim të dëshmisë së rreme.
Dëshmitari i gjyqit u akuzua për dëshmi të rreme vetëm disa ditë pasi Willie Stokes u dënua për vrasje në vitin 1984, transmeton Telegrafi.
Stokes, 61 vjeç, doli nga një burg shtetëror pranë Filadelfias, i etur për të marrë një përqafim nga nëna e tij, raporton foxnews.
“Sot është një ditë e jashtëzakonshme. Të gjithë jemi shumë mirënjohës”, tha avokati i tij, Michael Diamondstein. “Megjithatë, është gjithashtu një ditë e trishtuar, sepse na kujton se sa i paligjshëm dhe i padrejtë ishte zbatimi i ligjit në Filadelfia për kaq shumë kohë”, shtoi ai.
Të dy detektivët që dyshohet se i ofruan dëshmitarit Franklin Lee një marrëveshje seksi dhe drogë për dëshmi të rreme rreth një vrasje të vitit 1980, tani kanë vdekur.
Lee hoqi dorë nga rrëfimi i trilluar në gusht të vitit 1984, por Stokes u dënua me burgim të përjetshëm.
Disa ditë më vonë, prokurorët e Filadelfias e akuzuan Lee për dëshmi të rreme – jo për dëshminë në gjyq, por për dëshminë fillestare që kishte dhënë në seancën paraprake. Lee u deklarua fajtor, duke pranuar se e kishte trilluar rrëfimin dhe u dënua me shtatë vite heqje lirie. /Telegrafi/