Site icon Telegrafi

Burrështetasit si vegël në duart e fatit

Nëse doni të shihni një vend se sa i zhvilluar është, shikoni çfarë ka në krye të atij vendi dhe kush edukon shoqërinë e tij. Historia shpesh na ka mësuar se si një popull që është i edukuar, i arsimuar si brenda ashtu edhe jashtë tij, ai popull tregon se ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit të tij, të njohjes së tij dhe kjo nuk ka mundur të bëhet pa një lidership të urtë, pa burrështetas që në rend të parë kanë patur edukimin e brezave, pra ushqimin e zemrës së kombit më urtësi, njohje dhe edukim të shëndosh. Sepse, mu aty, mu në zemër të kombit duhet punuar më tepër: aty qëndron rinia që rritet me mësimet e së kaluarës së paraardhësve të vetë, duke e kuptuar dhe njohur në thellësi vetveten, identitetin, rrënjët dhe rrugën e të ardhmes së lumturisë së kombit të tyre.

Një burrështetas i urtë dhe vizionar, mbetet përgjithmonë referencë, i paharrueshëm në analet e historisë së botës.

Nga pasqyra e përgjithshme e burrështetasve evropianë, më i veçuar në shekullin e XV ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ai ishte pasqyra e mbretit prestigjioz evropian dhe se emri i tij i madh jehoi në tërë popujt dhe kombet e civilizuara si një strateg dhe burrështetas i urtë e vizionar, sepse me anë të veprimeve të tij bota njohu atë dhe vlerat e tij si një personalitet mbikohor i qytetërimit të përgjithshëm evropian. Por, emri i një burrështetasi të madhe është jo vetëm për shkak se ai tashmë është provuar nga veprat e tij si i tillë, por edhe për shkak se ai e njeh të ardhmen e popullit të tij. Kështu që një burrështetas është i kujdesshëm edhe në zgjedhjen që bën për ta ruajtur autoritetin, për ta ruajtur ndoshta edhe moralin dhe të drejtën e përgjegjësinë që ai ka marrë mbi krahët e tij për vendin dhe kombin.

Por, ai duhet të jetë i kujdesshëm edhe në zgjedhje në mes të dy zjarreve, në mes të të këqijave dhe kjo, siç nënvizonte ish-presidenti amerikan Franklin, "Burrështetasi është pothuajse gjithmonë në gjendje të zgjedh të keqen më të vogël në mesin e dy të këqijave”.

Një burrështetas i urtë është ai që mbron lirinë e do lirinë dhe i shërben vendit për ta bërë atë të dashur dhe me fat të madh nga ae ardhmja.

Liria është ligj, dhe në këtë ligj të gjithë popujt liridashës frymojnë dhe lëvizin dhe kanë të njëjtën liri, atë liri që buron nga rrënja e ligjit të lirisë.

Burrështetasit e vërtetë e kanë lirinë si vlerë, po ashtu pastaj edhe i tëri kombi dhe populli e konsideron lirinë si vlerë të tij.

Por. siç thoshte me të drejtë Friedrich Richter, si lira, ashtu edhe pasuria dhe fuqia e një vendi nuk vjen nga jashtë, por nga brenda, kështu që "asnjë vend nuk është i pasur apo i fuqishëm nga ajo që merr nga jashtë, përkundrazi, nga çdo gjë që ai nxjerr nga vetja e tij…”! Por, kjo vetëm nëse vendet që në proceset e rëndësishme historike kanë patur mbi të gjitha një lidership të urtë dhe vizionar që i ka pri çështjeve dhe ka punuar zellshëm e me përkushtim dhe përgjegjësi për të mirën e kombit duke nxjerr thesaret nga brenda dhe duke e afirmuar kombin jashtë, pra duke e bërë atë që të shihet me sy pozitiv, të progresit dhe të dritës.

Burrështetasit janë ata që duhet që më së tepërmi të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në zgjidhjen paqësore të disa nga problemet më të rrezikshme të kohës. Ai duhet të ketë kapacitet të pakontestueshme që të forcojë institucionet administratën dhe të jetë drejtues i denjë i çështjeve politike, të ketë një urtësi të madhe, mendjemprehtësi etj. Po ashtu, një burrështetas i madh i shërben vendit të tij për të mirën e përgjithshme; ai duhet të jetë mendja dhe duart punëtore të shtetit, apo në qeverisje, në lidership. Pra, me këtë ai tregon se është i aftë për shumë procese, për lëvizjen e kaheve të historisë drejt të ardhmes. Pastaj, është i sigurt dhe nuk ndalet, por vazhdon të punojë në rrugën që ka nisur me duart dhe mendjen e tij për atdheun, shtetin dhe kombin.

Burrështetasi duhet të jetë i shquar, të ketë aftësi shumë të ndryshme; ai duhet të konsiderohet dhe të ketë posaçërisht enciklopedinë e njohurive. Kjo e bënë atë një burrështetas të shquar. Një burrështetas të vërtetë fryma e tij pozitive nuk e lë atë që të joshet nga imagjinata, por ai është në gjendje t’i kuptojë gabimet e tij në politikë. Ai nuk duhet të hyj rrugës së çmendurisë dhe biznesit, sepse ai më nuk është burrështetas por tregtar dhe i dëmshëm për kombin dhe shtetin.

Një burrështetas është një intelekt i fuqishëm dhe tepër i vendosur në vendimet e tij, në punën e tij, në vizionin dhe në përgjegjësinë që ka. Ai duhet të ketë një frymëzim origjinal dhe vepra të denja në të mirën e atdheut dhe në ndriçimin e skutave të errëta nëse vendi i tij ka ose ka bërë me qëllim devijim. Ai në disa raste duhet të jetë edhe rojtar i pakompromis ndaj vlerave, kulturës dhe shtyllave të kombit të tij.

Një burrështetas duhet të ketë dukje serioze, qëndrim fisnik, kujtesë të plotë, metodik, vizionar, veprues, specialist, plot pasion me arsye dhe gojëtar. Ndërkaq, kur ai është para publikut ai duhet të ketë një prezantim dhe diskutim dinjitoz, të jetë jashtëzakonisht i qartë, i saktë, i mprehtë, dhe i besueshëm e besnik në atë që thotë. Pra, t’i bëjë një fjalët me vepra dhe anasjelltas. Sepse, siç dihet, në fjalimet e tij pasqyrohet e tërë natyra e tij. Ai duhet të jetë entuziast dhe njeri që lë gjurmë në jetën e tij prej burrështetasi.

Burrështetasi është gjithmonë në betejën e ideve; ai duhet të ketë superioritetin e një gjeniu i cili prodhon efekte dhe arrin fitore nga zjarri i stuhishëm dhe pasioni midis asgjësë apo asaj shterpe nxjerr rezultate për vendin. Por, vetëm disa burrështetas mund të prodhojnë vepra të tilla mbikohore, pra që të jenë model jo vetëm i kombit të tyre, por model i kombeve, dhe ai automatikisht bëhet pastaj një objekt i zilisë për të gjithë botën demokratike dhe lidershipit të saj në përgjithësi.

Burrështetasi duhet të jetë gjithmonë në vendin e ngjarjes dhe ai shpesh duhet të shfaqet në rend të parë. Po kështu, burrështetasi është në fushën e negocimeve dhe rinegocimeve, shpesh tepër të vështira, por ai duhet t’i ketë në dorën e tij palët në tavolinë, çështjet serioze dhe mbi të gjitha fatin e vendit të tij duke mos e lënë t’i rrëshqas nga duart në tryeza diplomatike të negociatave.

Dhe, krejt në fund në lidhje me burrështetasit, duhet të veçoj atë që ka thënë me të drejtë edhe mbreti Frederiku i Madh i Prusisë, se “unë e konsideroj veten si një mjet në duart e fatit…”!

Exit mobile version