Historia e këpucëve me taka i ka fillimet e veta në fund të vitit 1599, kur një grup diplomatësh persianë vizituan Evropën për të rekrutuar aleatë në ndihmë të ushtrisë persiane për të mposhtur Perandorinë Osmane. Kultura persiane në atë kohë kishte në stilin e kalorësve këpucët me taka, të cilat u pritën me entuziazëm nga aristokracia e Evropës Perëndimore. Një burrë me taka të larta konsiderohej si njeri i fuqishëm, i përkiste një klase të lartë të shoqërisë ose ishte ushtarak. Burrat filluan të mbanin këpucë me taka për të treguar pushtetin, por takat e larta ishin gjithashtu efikase edhe për të hipur mbi kalë, sepse e mbronin këmbën nga rrëshqitja. Kur ushtari hipte në kalë, thembra e ndihmonte atë për të siguruar qëndrimin, edhe kur ai matej për të siguruar harkun dhe shigjetën.
Ky ishte motivi që më vonë do të identifikohej ngushtë me Mbretin e Francës, Luigji XIV, në kohën e të cilit këpucët me taka u bënë simbol për njerëzit shtatshkurtër.
Megjithatë, shkruan revistaclass, një nga arsyet pse meshkujt hoqën dorë nga përdorimi i takave të larta është që ato nuk ishin praktike, ndonëse klasat e larta kanë përdorur gjithmonë veshje jopraktike, të pakëndshme dhe shumë luksoze, për të treguar gjithmonë statusin e tyre të lartë.
Takat e larta filluan të shihen si këpucë erotike, që nga koha kur filluan të vishen dendur nga femrat, në fund të shekullit XIX – modelet nudo nëpër kartolinat dhe fotografitë franceze, shpeshherë ishin të veshura me taka të larta.
Përdorimi i takave nga gratë është një mënyrë e tërheqjes së vëmendjes së burrave. Kjo ishte dhe arsyeja kryesore pse meshkujt hoqën dorë nga përdorimi i tyre.
Më tej, takat e larta janë parë te burrat si shfaqje qesharake dhe si femër, derisa në vitin 1740 burrat hoqën dorë përfundimisht nga veshja e tyre.
Pothuaj për 50 vjet, takat u zhdukën nga këmbët e burrave, derisa në mes të shekullit XIX, filluan të krijonin një imazh të ri për modelët meshkuj.
Megjithatë, epoka e burrave që ecin në majë të gishtave duket se ka mbaruar. A mund të mendoni dot këmbët e tyre leshatore hipur mbi taka 12 cm, me këpucë me shkëlqim e ngjyra të ndezura? Absolutisht! /Telegrafi/