Një djalë i ri i cili prej disa kohësh ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë ka tentuar që t’i japë fund jetës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, e mërkurë, në rrugën “Jordan Misja”, në ambientet e burgut “313”.
Në qeli duke përdorur çarçafin si litar, ka tentuar të vetëvaret i paraburgosuri O.K., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ishin gardianët ata që arritën të shpëtojnë të riun në grahmat e fundit të jetës, duke e dërguar në spitalin “Nënë Tereza”, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Dyshohet se akti i rëndë është kryer në gjendje të rënduar psikologjike, ndërkohë nga ana e policisë nuk bëhen me dije detaje të tjera.
Lidhur me këtë ngjarje, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për vlerësim.