Në vitin 2014 në Shqipëri u miratuan ndryshimet ligjore që linin të hapur mundësinë e institucioneve private të ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuar deri në maksimum me 5 vite burg.
Por 6 vite më vonë qeveria ka hequr këtë parashikim duke larguar përfundimisht konceptin e burgjeve private.
Dy janë shkaqet kryesore që çuan ministrinë e Drejtësisë në tërheqjen e dispozitave në ligjin e ri për të drejtat dhe trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, miratuar në korrik.
E para lidhet me mungesën e interesit për të ndërtuar burgje private ndonëse kishte hapësirë ligjore dhe e dyta me faktin se në disa vende ku është zbatuar ky sistem, ka dështuar. Për këtë në referencë merret eksperienca e Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku në këto vende kjo praktikë po shkon drejt mbylljes.
Në ligjin e vjetër parashikohej që rregullat për burgjet private do të përcaktoheshin me një vendim të veçantë të këshillit të ministrave, por asokohe ekspertët u shprehën skeptikë, lidhur me garantimin e sigurisë dhe administrimit brenda kuadrit ligjor.