Numri i përgjithshëm i të burgosurve në 13 burgjet e Maqedonisë është 3446, ndërkaq kapaciteti i tyre është vetëm 2026. Komiteti i Helsinkit thotë se burgjet janë të stërmbushur, kurse më alarmuese është situata në Strumicë, ku ka vend vetëm për 62 persona, por në burg janë të vendosur 150 persona, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ky Komitet thotë se burgjet e vendit punojnë me nënstandarde për jetë, kurse stërmbushja cënon privatësinë, shkel dinjitetin e njerëzve. Të burgosurit më së shumti ankohen për përkujdesje shëndetësore të joadekuate, joefikasitet të ndihmës juridike, moszbatim të programeve për risocializim, mosekzistimin e programeve arsimore, higjienë të dobët, nuk ka aktivitete, orar tepër i shkurtër për të ndejtur në hapësirë, korrespondenca të kufizuara, etj.
Komiteti i Helsinkit gjithashtu thotë se ka korrupsion në mes të shërbimeve të burgut dhe të burgosurve, ndërkaq brenda në burg mund të blihet nga telefoni celular e deri te droga. Sipas të dhënave të Drejtorisë për zbatimin e dënimeve, nga viti 2010 e deri 2016, është rritur numri i të dënuarve për 46%./Telegrafi/