Telegrafi

Apeli dënon me tre vjet burg efektiv ish-sekretarin e MSH-së, Ilir Tolaj

Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës, në rastin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, duke e dënuar këtë të fundit me tre vjet burg efektiv për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Po ashtu, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Apeli e ka dënuar me dy vjet e katër muaj burgim edhe të akuzuarin Bekim Fusha, ndërsa me dy vjet e tetë muaj burgim e ka dënuar të akuzuarin Zenel Kuqi.

Gjithashtu, shkalla e dytë i ka dënuar me nga gjashtë muaj burgim, edhe të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin

“Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesshëm ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës,  në rastin e të akuzuarve I.T., B.F.,Z.K.,V.H.-P.,R. Th. dhe F.T. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 06.06. 2018, është ndryshuar nga aktgjykim LIRUES në aktgjykim DENUES.

Të akuzuarit në fjalë, janë shpallur fajtor nga ana e Gjykatës së Apelit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe  janë gjykuar:

I.T. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

B.F. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 4 muajsh.

Z.K. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 8 muajsh.

Ndërsa V.H.,F.T. dhe R. Th., secilën veç e veç, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh në periudhe verifikuese pre një viti”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Dënimet do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë se aktgjykimit, ndaj të cilit palët kane të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Apelit gjeti se nga provat që janë pjesë e shkresave të lëndës janë përmbushur të gjitha elementet e veprave penale, për të cilat ata janë shpallur fajtor. /Telegrafi/