Simbolet e urrejtjes dhe veprat terroriste do të dënohen me burgim që variojnë nga një deri në gjashtë vjet në Australi, pasi ligjvënësit miratuan një sërë ndryshimesh për ligjet për krimet e urrejtjes të enjten.
Ligjet e reja u miratuan të enjten mes një vale sulmesh antisemite të profilit të lartë, që janë bërë një temë e nxehtë debati në vend, transmeton Telegrafi.
Ndryshimet janë përshkruar nga zyrtarët, si “ligjet më të ashpra që Australia ka pasur ndonjëherë kundër krimeve të urrejtjes”.
Por kritikët thonë se partia Laburiste në pushtet po i nënshtrohet kërkesave të opozitës, dhe po shkon kundër politikës së saj për të kundërshtuar dënimet me burg.
Sipas ndryshimeve të miratuara të enjten, shfaqja e simboleve të urrejtjes ose kryerja e një përshëndetjeje naziste, tani dënohet me të paktën një vit burg.
Dënimet e tjera përfshijnë një minimum prej tre vjetësh për financimin e terrorizmit, dhe gjashtë vjet për kryerjen ose planifikimin e akteve terroriste.
Ish-senatori laburist Kim Carr, kritikoi partinë për atë që ai tha se ishte një “shkelje e qartë e platformës kombëtare të Partisë Laburiste”.
Laburistët kundërshtojnë dënimet me arsyetimin se dënime të tilla nuk reduktojnë krimin, minojnë pavarësinë e gjykatave dhe shpesh janë diskriminuese në praktikë.
Por as partitë opozitare nuk nxituan të mirëpresin amendamentet e reja, duke akuzuar Laburistët se po i zvarritin amendamentet.
“Parlamenti nuk po vepron sot për shkak të vendosmërisë së Partisë Laburiste”, u tha gazetarëve në Canberra senatori liberal James Paterson. /Telegrafi/