Ish kryetari i komunës së Parteshit, Nenad Cvetkoviq, është shpallur sot fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan në akuzat për një rrahje që ndodhi tri vjet më parë.
Cvetkoviq i cili tani mban pozitën e këshilltarit në Ministrinë për kthime dhe Komunitete u dënua me 90 ditë burg me kusht, masë e cila do të ekzekutohet në rast se ai kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda periudhës dyvjeçare.
Nenad Cvetkoviq akuzohej se në gusht të vitit 2013, gjatë kohës sa ishte kryetar i komunës së Parteshit, në selinë e partisë së tij Partia e Pavarur Liberale (SLS) në Partesh i kishte shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Gavrillo Niçiq.
Ish kryetari i komunës akuzohet se ka goditur në disa pjesë të trupit tani të dëmtuarin, i cili për shkak të lëndimeve kishte kërkuar ndihmë në Qendrën e Emergjencës në Gjilan.
Paraparkisht gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor dëshminë e tyre e kanë dhënë Sllobodan Maksimoviq, Sërgjan Zhiviq, Radovan Nikoliq dhe Sllobodan Stojanoviq.
Prokurori i shtetit Ismet Ukshini, në fjalën e tij përfundimtare tha që nga provat e shtjelluara është dëshmuar që i Cvetkoviq ka kryer veprën penale dhe kërkoi nga gjykata që ai të dënohet.
Avokati Elmi Qerimi gjatë fjalës përfundimtare kërkoi që klienti i tij të lirohet ngase “nuk është vërtetuar që ai ka sulmuar dikë” në ditën kritike.
Ndërsa vet i akuzuari në fjalën e tij tha që ndihet i pafajshëm dhe pret vendim meritor nga gjykata.