Publicisti dhe studiuesi Daut Dauti, përmes një shkrimi të tij analizon veprën e akademikut Jernej Mekuz, “Bureku si metaforë kulinare”, ku byreku si ushqim tradicional i Ballkanit sot ka konotacion negativ në Slloveni, meqë përmes tij bëhet një ndarje ideologjike Lindje-Perëndim. Shkrimin e plotë të Dautit, për këtë vepër interesante dhe të veçantë, mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Sipas recensioneve, autori i këtij studimi, Jernej Mlekuž, e prezanton burekun duke e shoshitur temën nëpër ideologjinë parazitore apo një diskursi negativ që është krijuar së voni nga gjeneratat e reja në Slloveni. Sot, këto gjenerata, burekun e identifikojnë më ish-Jugosllavinë, Ballkanin dhe Lindjen. Pra, bureku i cili nga gjeneratat e vjetra sllovene konsiderohet si ushqim tradicional, nga të rinjtë identifikohet me refugjatët, emigrantët e ish-republikave jugosllave apo si diçka e huaj dhe primitive.
Së voni, bureku në këtë ish-republikë jugosllave ka hyrë si fjalë denigruese në arsenalin shovinist slloven. Pos kuptimeve politike dhe gjeografike, sot gjeneratat e reja në Slloveni me këtë fjalë tentojnë ta shpjegojnë edhe ushqimin ‘Fast Food’ apo me një fjalë atë që njihet edhe si ‘Junk Food’.
Në realitet, duket që edhe gjeneratat e reja sllovene e konsumojnë burekun, por për shkak të kompleksit Lindje-Perëndim, ata deklarohen publikisht se nuk ju pëlqen.
Mlekuž ka përdorur një stil të veçantë të të shkruarit. Parathënia e librit është ‘Paraburek’ kurse pasthënia – ‘Pasburek’.
Autori ka ofruar edhe recetën e nënës së tij për gatimin burekut. Është i ngjashëm me recetën e nënave tona në Kosovë dhe gjetiu në ish-Jugosllavi.
Autori, në hyrje, pra në ‘Paraburek’, ka shpjeguar së është munduar që librin ta shkruajë në atë mënyrë që do të ishte i pranuar nga të gjithë lexuesit, duke filluar me ata që kanë PhD (doktoratë) e deri te ata me shkollë fillore.
Sidoqoftë, libri duket të jetë shumë interesant dhe bën pjesë në llojin e literaturës që mungon në gjuhën shqipe.
Jernej Mlekuž, është anëtar i Akademisë së Arteve të Sllovenisë në Lubjanë”, ka shkruar Dauti. /Telegrafi/