Portieri i Feronikelit, Flamur Neziri ka konfirmuar se është ftuar në Përfaqësuesen e Kosovës për ndeshjen ndaj Ishujve Farore.
Një gjë të tillë Neziri e bëri pas ndeshjes mes Feronikelit dhe Drenicës, kur deklaroi për Super Sport se ka marrë ftesën.
Por Telegrafi ka kontaktuar me trajnerin e Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun për ta pyetur rreth Nezirit dhe ftesave të tjera.
“Flamurit iu është dërguar ftesa për t’ia bërë vizën. Ai është në mesin e katër portierëve dhe në fund do të zgjidhet njëri nga ta për tu grumbulluar zi zëvendësim i Samir Ujkanit”.
“Vetëm në javën e fundit do ta vendosim se cili do të jetë portieri i dytë që do të grumbullohet, pasi e ceka edhe më lartë janë katër sosh që janë në pritje”, tha Bunjaku.
“Duke pasur parasysh që skuadra e Samir Ujkanit mund të luaj në barazh, atëherë jemi të detyruar që të parapërgatitemi për një plan B. Për fat të mirë skuadra e Ujkanit ka fituar sot dhe shpresojë dhe besoj që do të mbesin në Serie B pa luajtur në barazh”.
Ai nuk ka dashur të flasë për listën e mundshme të lojtarëve, duke thënë se një gjë e tillë pritet të zbulohet në fund të muajit. /Telegrafi/