Site icon Telegrafi

Bunjaku: Senegali më i fortë se Turqia

“Senegali ka një ekip më të fortë se Turqia. Ka lojtarë më të fortë, më të shpejtë, sidomos nga aksionet e ndërprera. Kanë lojtarë të gjatë. Mirëpo ne do të përqendrohemi brenda përbrenda ekipit tonë dhe këtë jemi duke e bërë. Ne kemi përshtatur lojën për këtë kundërshtar”, tha Albert Bunjaku, selektor i Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Përgatitjet zgjatën për një orë në fushën e blertë dhe lojtarët kosovarë, të cilët kanë filluar të ndërtojnë një ekip të mirëfilltë të futbollit, vazhduan ta njohin njëri-tjetrin më shumë.

Albion Avdijaj, sulmues i Grashooper nga Zurichu, i cili u angazhua në pjesën e dytë të lojës me Turqinë, tha se presin një rezultat pozitiv, përderisa tregoi se kjo do të jetë shumë vështirë, pasi ata do të ndeshen me një ekip shumë të fuqishëm fizikisht.

Mirëpo, lojërat e Kosovës tashmë përveç rëndësisë sportive, kanë edhe mesazhin e vet diplomatik, si një kërkesë e Kosovës që të jetë një ekip përfaqësues në futboll, kur edhe do t’i bashkangjitej federatave të tjera të pranuara ndërkombëtarisht si vëzhguese apo me anëtarësi të plotë, siç janë xhudo, hendbolli, ping pongu, tenisi.

Ambasadori Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, takoi lojtarët kosovarë dhe u shpreh se ky ishte një nder i madh për të.

“Ishte një takim emocionues për mua, është një simbolikë: po ndërtojmë një shtet të ri, po ndërtojmë një ekip të futbollit të ri, i cili padrejtësisht nuk merr pjesë në gara ndërkombëtare. Por mendoj se jemi në rrugë të mirë”.

“Shumica e lojtarëve janë nga diaspora që tregon për potencialin e madh, ndërsa Zvicra ka simbolikat e veta, pasi ekipi kombëtar ka pesë shqiptarë që do të na përfaqësojnë në Brazil. Jo të gjithë lojtarët janë të përfshirë në kombëtare të tjera. Mendoj se do të ndërtojmë një ekip të mirë, por duhet kohë. Duhet t’i japim kohë kësaj përfqësueseje”.

“Do të jetë një rast i mirë për bashkëkombësit që të vinë dhe ta përkrahin këtë kombëtare”. /Tribuna/Telegrafi/ 

Exit mobile version