Eliminatoret e Botërorit 2018 po afrohen, kurse Albert Bunjaku ende nuk e di se cilët lojtarë do t’i ketë në dispozicion.
Mirëpo, përzgjedhësi thotë se përfaqësuesja kosovare do të jetë e hapur për të gjithë futbollistët me origjinë nga Kosova, pavarësisht përkatësive etnike.
Ai i lë dyert e hapura edhe për futbollistët e të gjitha trevave shqiptare. Madje, shkon edhe më larg, duke theksuar se në botën e globalizimit edhe një brazilian mund të luajë për Kosovën. Për Bunjakin, në aspektin sportiv, më i rëndësishëm është kualiteti sesa nacionalizmi
Shumë vende evropiane ia kanë pa hairin “hon e don” Kosovës. Futbollistët më të mirë nga Kosova i përfaqësojnë këto vende dhe japin kontribut të madh për Përfaqësueset e tyre.
Po flasim për Shaqirin, Xhakën, Behramin apo edhe të tjerë, të cilët mbrojnë ngjyrat e vendeve ku janë rritur, e ku kishin shkuar me familjet e tyre si emigrantë.
Mirëpo, me pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA mund të ndërrohet faqja e historisë. Tash e tutje, Kosova do të mendojë vetëm për vete, duke synuar që t’i grumbullojë yjet që luajnë për vendet tjera evropiane.
Jo vetëm kaq. Përzgjedhësi Albert Bunjaku nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen për Kosovën të luajnë edhe futbollistë shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi apo edhe Turqia.
Gjithashtu, nuk i lë pa mundësi edhe futbollistët nga minoritetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, apo edhe lojtarët e huaj, të cilët mund të natyralizohen.
“Pse jo, jemi në botën e globalizimit të futbollit dhe në Kosovë mund të luajnë madje edhe brazilianë, pse jo, nëse marrin shtetësi kosovare”, thotë Bunjaku për “Zërin”.
“Në Përfaqësuesen e Kosovës kanë të drejtë të luajnë të gjithë. Derisa Kroacia ka brazilianë dhe Gjermania ka shqiptarë, ose edhe afrikanë, edhe ne jemi të hapur për nacionalitetet tjera”, vazhdoi ai.
Sipas Bunjakit, kualiteti duhet të mbizotërojë në ekipin e Kosovës, e jo nacionalizmi. Me këtë nënkupton se edhe ndonjë futbollist serb, boshnjak, kroat apo malazez, që është nga Kosova, mund ta veshë fanellën e kaltër në të ardhmen.
“Nëse shohim që ka lojtarë kualitativë, që jetojnë në Kosovë ose që janë nga Kosova, edhe nga nacionalitetet tjera, ne do t’i ftojmë. Nëse duan ata, mund të luajnë për Kosovën”, nënvizoi ai.
Vetëm në Kombëtaren shqiptare luajnë dhjetëra futbollistë nga Kosova. Dhe, trajneri kosovar që jeton në Suedi nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të ndodhë e kundërta. Pra, një futbollist nga Shqipëria të luajë për Kosovën.
“Pse jo, nuk e shoh ndonjë pengesë. Nëse na intereson ndonjë lojtar që është nga Shqipëria në të ardhmen, mund të interesohemi apo edhe ta ftojmë”, thotë Bunjaku, i cili nuk e përjashton mundësinë që qysh tash të ketë kontaktuar me ndonjë futbollist të një nacionaliteti tjetër.