Tekniku i përfaqësueses sonë tha se ndeshja e sotme është sinjal shumë i fortë për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, një mundësi e mirë për të ardhmen, të cilën nëse të gjithë pa dallim dinë ta shfrytëzojë mirë, do të ketë elemente pozitive për të ardhmen e reprezentacionit në përgjithësi.
Sipas tij, nuk duhet ndalur në gjërat të cilat nuk kërkojnë analizë të thellë, sepse s’ka kohë, edhe tre ditë është një lojë tjetër kundër Senegalit, dhe që nga ky moment duhet filluar të mendohet për Senegalin.
“Mundësitë dhe kushtet i kemi ditur. E kemi ditur po ashtu se është vështirë, dhe jemi munduar në atë mënyrën tonë. Nëse flasim për rezultatin 6:1, atëherë ka mundur të jetë edhe më shumë, si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën kemi pësuar dy gola në aspektin psikologjik në një moment ndoshta jo të mirë. Pas golit tonë dhe rezultatit 2:1 na u dha një energji, mirëpo kemi të bëjmë me një kualitet dhe është një shkollë e mirë”, ka thënë mes tjerash Bunjaku, transmeton KP.
Ai potencoi se nuk duhet harruar se Turqia është një superfuqi në futbollin botëror. Bunjaku ka paralajmëruar lojë të vështirë edhe në ndeshjen e ardhme kundër Senegalit, ngase do të mungojnë pesë lojtarë, por ka premtuar angazhim maksimal të të gjithëve.
Ndërkaq, Debatik Curri, theksoi se orari i ngjeshur i ndeshjeve në kampionatin ku luan, por edhe mungesa e kohës që sa më shumë të luajnë lojtarët bashkë mes vete, e ka bërë të veten.
“Unë para dy ditësh kam zhvilluar ndeshje dhe sot në mëngjes kam arritur. Përkundër vështirësive dhe lodhjes, dëshira për të luajtur së paku në një ndeshje, e ka bërë të veten. E kemi dhënë maksimumin aq sa kemi mundur, sepse si figura dhe emra njihemi, por nuk e dimë si të kombinohemi e të kuptohemi gjatë lojës më mirë, dhe kjo është problem. Problemi është që kemi shumë pak kohë për stërvitje mes vete”, sqaroi Curri.
Ai bëri të ditur se për shkak të angazhimeve në klubin e tij, do të mungojë në ndeshjen e ardhme kundër Senegalit.
Kosova sot pasdite në stadiumin “Adem Jashari” është mposhtur me rezultat 1-6, në ndeshjen ndërkombëtare, e dyta që luhet nën ombrellën e FIFA-s. /KP/Telegrafi/