Site icon Telegrafi

Bunjaku: Islanda është skuadër kompakte, por ne besojmë në rezultat pozitiv

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, ka komentuar ndeshjen ndaj Islandës që do të luhet me 24 mars (e premte) në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Bunjaku beson te fitorja, por shpreson për pak fat. Me këtë rast ai ka folur edhe për kundërshtarin dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur në grup.

“Islanda është shembull, si me pak arrihet shumë. Kjo nuk është befasi për shumë shtete që kanë ndjekur punën e tyre, pasi nuk është rezultat njëvjeçar, por investim shumë vjeçar”.

“Është një kundërshtar ndryshe, do jetë vendimtar mentaliteti jonë, nuk do kemi shumë shanse, por ato që i kemi duhet t’i realizojmë. Ata janë kompaktë, por ne i kemi analizuar dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet”.

“Presim lojë fizike, shumica e lojtarëve tanë janë në formë të mirë dhe shpresojmë në fitore. Prej lojës në lojë jemi rritur dhe me pak fat mund të marrim rezultat pozitiv”.

“Tre portierë janë të ftuar, Samiri po vazhdon me formë të mirë. Bledari është një portier me shumë perspektivë, por është e rëndësishme provoja që e merr këtu”.

“Disa prej lojtarëve që janë ftuar në repartin e mbrojtës mund të luajnë në qendër dhe anash, por ne do të vendosim në momentin e fundit, nisur nga ajo që do tregojnë edhe në stërvitje”.

“Kundër Islandës kemi tre lojtarë të rinj, pasi jemi në fazën fillestare, janë lojtarë interesantë që rrisin konkurrencën. Ardhja e Besart Berishës është shumë e rëndësishme për ne pasi është një lojtar me përvojë që shënon gola”.

“Donis Avdijaj është me një klub të mirë dhe ka një të ardhme shumë të mirë. Ardhja e tij rrit konkurrencën, e cila është në nivel shumë të lartë dhe për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë”.

“Falënderoj tifozët për përkrahjen, ne do të japim gjithmonë maksimumin, por të harrojmë që deri më tani kemi pasur fatin të luajmë me kundërshtarë shumë të fortë”, ka thënë Bunjaki.

Ndeshja do të jetë në kuadër të kualifikime për ‘Rusia 2018’. /Telegrafi/

Exit mobile version