Site icon Telegrafi

Bunjaku: Futbollistët nga ‘Euro 2016’, do të luajnë për Kosovën

Albert Bunjaki, selektori i Kosovës, ka zbuluar se disa lojtarë të Kombëtares kanë shfaqur dëshirën t’i bashkohen përfaqësueses kosovare.

Gianni De Biasi gjatë kësaj jave ka bërë të ditur se njëri nga lojtarët, të cilët i kishte lënë jashtë Euro 2016, Berat Gjimshiti, Herolind Shala, Amir Rrahmani dhe Milot Rashica, do t’i bashkohen Kosovës, por pa cekur se cili lojtar.

Por, kështu nuk mendon selektori i Kosovës, Albert Bunjaki. Ai ka zbuluar se disa lojtarë të Kombëtares kanë shfaqur dëshirën t’i bashkohen përfaqësueses kosovare.

“Ka lojtarë që ishin në Europian dhe që kanë dëshirë të përfaqësojnë Kosovën. Emra nuk mund t’ju them, por nuk bëhet fjalë për një dhe këtë besoj që e kanë të gjithë të qartë”, është shprehur Bunjaki për Panorama Sport

Me këtë përgjigje, trajneri jo vetëm që zgjeron numrin e lojtarëve kuqezi që mund t’i bashkohen skuadrës kosovare, por mund të kuptohet që ka edhe lojtarë nga kombëtare të tjera pjesëmarrëse në “Francë 2016”.

Bunjaki është i bindur se përfaqësuesja të cilën ai drejton, do të kompletohet me shumë futbollistë që kanë eksperiencë.

Kreu i bankinës së përfaqësueses së Kosovës e vë theksin te përgjigja që pret Federata e Futbollit nga FIFA nëse do të lejohen lojtarët e kombëtareve të tjera që të bashkohen me Kosovën.

“Ne jemi në pritje të një përgjigjeje nga FIFA dhe besoj që ajo nuk do të vonojë. Ajo do të vendosë gjithçka se çfarë do të ndodhë dhe më pas do të kuptohet se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Bunjaku për “Panorama Sport”.

Pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA është një lajm i mirë për futbollin vendas dhe të rinjtë e kësaj përfaqësueseje, që si në rang klubesh edhe në rang përfaqësueseje do të luajnë në kompeticione europiane e botërore.

Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me këtë përfaqësuese që merr pjesë për herë të parë në eliminatoret për botërorin “Rusi 2018”.

Exit mobile version