“Ftesat e lojtarëve tashmë janë të gatshme dhe pritet që të hënë t’i nisim zyrtarisht drejt klubeve ku angazhohen në ata që kam planifikuar t’i ofroj kundër Haitit”, tha Bunjaku. Numri një i bankinës së Kosovës nuk ka pranuar të bëjë të ditur emrat që do të ftojë për ndeshjen, duke thënë se këtë do ta bëjë vetëm disa ditë para zhvillimit të saj. “Do të ftoj 18 futbollistë për ndeshje, plus dy të tjerë si rezervë. Emra për momentin nuk jap, por do ta bëj këtë në kohën e duhur. Planifikohet një konferencë për shtyp më 2 mars dhe besoj se këtë ditë do të dihen emrat e të gjithë të ftuarve për ndeshjen me Haitin”.
Bunjaku ka paralajmëruar një tretman special për lojtarët për këtë ndeshje, i njëjtë me atë që përgatiten kombëtaret më të mëdha evropiane për sfidat e tyre. “Tashmë kam filluar të diskutoj për detajet dhe programin e takimit me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, në veçanti me doktor Marcus Svenson, e më pas do të ulem me Tordin dhe Sahitin dhe diskutoj për grumbullimin e lojtarëve dhe përgatitjet që do të kemi”, shtoi Bunjaku. Përveç stërvitjeve të ftuarit e Bunjakut do të kenë edhe regjim të ushqimit.
“Duhet të përgatisim sa më shpejt planin e grumbullimit, që përfshin stërvitjet, akomodimin dhe ushqimin. Shpresoj se do të kemi së paku dy seanca stërvitore para ndeshjes dhe ndonjë regjenerues pas ndeshjes. Duhet të përkujdesemi për çdo detaj. Me rëndësi është mënyra e ushqimit dhe njohja e lojtarëve me kundërshtarin, pra që lojtarët të dinë mirë se me çfarë kundërshtari do të përballen”. Ndërkohë Bunjaku është shprehur edhe për rivalin kosovar.
“Haiti është kundërshtar i respektuar dhe do të jetë lojë interesante. Normalisht unë nuk njoh ndonjë kundërshtar, i cili hyn në lojë për të humbur. Për mua është me rëndësi që ne të kemi prezantim të mirë dhe kontinuitet të ndeshjeve në të ardhmen të cilat do jenë në shërbim të testimeve dhe harmonizimit të përfaqësues sonë. Ne duhet të mendojmë shumë më lartë se një lojë. Kampionati botëror do të vijë shumë më shpejt se që ne mendojmë dhe këto lojë miqësore janë një platformë e mirë për ndërtim”, ka shtuar ai. Se a do të ketë futbollist nga kampionati i Kosovës të ftuar për këtë ndeshje dhe cilët do të jenë ata që luajnë jashtë Kosovës, Bunjaki nuk ka zgjedhur që të tregojë. Mirëpo shkurt ka thënë:
“Më intereson futbollistët më të mirë të mundshëm dhe që të gjithë janë kosovarë”, ka përfunduari ai. Ndeshja me Haitin do të jetë e para për Kosovën pas lejes që ajo të luaj ndeshje miqësore ndërkombëtare. Kosova si pjesë e vendi mit të FIFA-s kundër Haitit do të luaj me fusnotë dhe pa simbole shtetërore. /Zëri/Telegrafi/