Telegrafi

Bunjaki krahason postin e tij me të presidentit të Kosovës

Seleksionuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, në një intervistë dhënë për mediumet suedeze ka thënë se ekipi i tij është i gatshëm për debutim në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.

Federata e Futbollit e Kosovës gjatë këtij muaji është pranuar në UEFA dhe FIFA, kurse në fund të kësaj jave, Përfaqësuesja e Kosovës do t’i mësojë kundërshtarët për eliminatoret e botërorit 2018, përcjell Koha Ditore. Ai ka thënë se pranimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA ka qenë një proces i gjatë, por ka bërë të ditur se prej vitit 2002 ka punuar në zhvillimin e futbollit kosovar nëpërmjet projekteve të ndryshme.

“Pranimi në FIFA dhe UEFA ishte një gëzim i madh dhe lehtësim për të gjithë, ndonëse ne kemi vepruar sikur të ishim të pranuar në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur të vinte kjo ditë”, ka thënë Bunjaki për “Skovdenyheter.se”.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Bunjaki ka vazhduar me zejen e trajnerit.