Site icon Telegrafi

Bunjaki: Kosova në FIFA, vetëm çështje kohe

Takimi i realizuar pak ditë më parë në Selinë e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK-së) dhe Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS-së) me ndërmjetësimin e kreut të FIFA-së, Sepp Blatter, ishte një arsye e mjaftueshme për të zhvilluar një intervistë ekskluzive me përzgjedhësin e Kombëtares së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki.

Ky i fundit pranoi me kënaqësinë më të madhe të flas hapur për gazetën e Shkupit, “Lajm” për rezultatet nga takimi në Zurich, për pengesat tjera që mund të vijnë nga Federata serbe e futbollit, për pritjet nga takimi i ardhshëm në fund të nëntorit, për miqësoren e parë, për shpresat e Kosovës që të marrë pjesë në kualifikimet e ardhshme…

Z. Albert Bunjaki, na thuani cili është opinoni juaj për takimin në Zurich, mes drejtuesve të FFK-së dhe FFS-së me ndërmjetësim të Sepp Blatter, presidentit të FIFA. Sa ka qenë pozitiv ky takim për futbollin e Kosovës?
Bunjaki: Është shumë pozitiv nga se të gjithë dimë se çështja e pranimit të Kosovës në FIFA është vetëm çështje kohe, e cila mjerisht është shndërruar në çështje politike. Të gjithë jemi në pritje të një lëvizje pozitive që do hapte rrugën sportit kosovar, por edhe mbarëshqiptar.

Deri kur mendoni se mund të na pengoj Federata serbe e futbollit, dhe a mund të pengoj më?
Bunjaki: Pengesa do ketë, por pozicioni i Kosovës tani është shumë më i fuqishëm, e sidomos pas bisedimeve shtetërore në mes të dy kryeministrave. Jam i bindur se zgjedhje do ketë shumë shpejtë.

Dy federatat do të takohen edhe njëherë në fund të nëntorit (më datë 28 dhe 29). Mendoni se do të jetë ky takimi i fundit mes palëve?
Bunjaki: Jo, do të ketë sigurisht edhe takime të tjera! Do të duhet një kohë e gjatë që të krijohen raporte më të qëndrushme. Me rëndësi është se bisedimet kanë filluar dhe se ato ekzistojnë do të ketë edhe shpresa për zgjidhje të qëndrushme.

A shpresoni se FIFA do të marrë një vendim në të mirën e futbollit të Kosovës në takimin e ardhshëm në dhjetor?
Bunjaki: Unë jo vetëm që shpresoj, por duhet punojmë vazhdimisht që nëse kjo ndodhe Kosova të jetë e gatshme. Kosova është e gatshme të filloj, por edhe të kualifikohet më tej nëse vazhdojmë të punojmë siç mendojmë. Kosova do jetë fuqi futbolli për rajonin dhe më gjerë.

Të gjithë ne jemi në pritje të miqësores së parë ndërkombëtare, madje mund të thuhet se ka humbur durimi, kur mund të ndodh kjo?
Bunjaki: Mendoj se është me rëndësi të mendojmë në procese pune afatgjate dhe jo vetëm në lojë të parë. Unë kuptoj se kjo lojë është historike në të gjitha mënyrat, por poashtu është shumë me rëndësi të mendojmë më shumë për të ardhmen.

Atëherë, gjatë këtij viti nuk mund të shpresojmë se do të ndodh?
Bunjaki: Jo, më së herti është në fillim të vitit të ardhshëm në data të FIFA-s. Natyrisht, nëse vijnë vendime pozitive. Vendimi mund të ndodhë, por lojërat është shumë më vështir të realizohen, nëse nuk janë në data të FIFA-s.

Thatë se Kosova do jetë fuqi për rajonin dhe më gjerë, mos keni aluduar edhe në lojtarët shqiptarë që luajnë me Zvicrën?
Bunjaki: Në të gjithë ata që duhet të janë, pavarësisht ku gjinden. Kualiteti është shumë i rëndësishëm. Kosova është e vetmja që do të ketë mundësinë të bashkojë të gjithë lojtarët shqiptarë. Dhe, këtë natyrisht me dëshirën e lojtarëve do ta shfrytëzojmë.

A do t’i bëhet ftesë edhe Shaqirit?
Bunjaki: Hahaha (qeshet) nuk do të përmendi emra. Më duhet të mbrojë integritetin e tyre.
Kur shpresoni se Kosova do të marrë pjesë në ndonjë eliminatore qoftë për KE ose KB?
Bunjaki: Unë jam i gatshëm për në shtator të 2014-ës. Është përgjegjësi dhe detyrë e imja të jam gati. Asgjë nuk do t’ia lë rastit apo befasisë.

A mund t’i luaj Kosova ndeshjet në Shkup, për shkak të infrastrukturës së dobët në Kosovë?
Bunjaki: Është e mundur që Shqipëria të bëjë këtë, por Kosova do të ketë stadiumin e vet në Prishtinë dhe Mitrovicë, dhe atë shumë shpejtë. Në Kosovë ekziston vullneti për të krijuar infrastrukturë sportive, por natyrisht të gjithë janë në pritje të një lëvizje pozitive. Madje unë e di që po këto dy stadiume kanë filluar të rregullohen.

Dhe, në fund, ju ku jetoni më tepër në Suedi apo Kosovë?
Bunjaki: Tani e katër vite për çdo dy javë jam në Kosovë, ku kam edhe prindërit. Lëvizja është më e mundshme nga Suedia që të vëzhgojë lojtarët kosovarë në Ligat evropiane, madje në shumë raste mund të shoh lojë dhe takohem me lojtarë, ndërsa të nesërmen të jam në shtëpi. Unë jam aty ku mendojë se duhet të jam për të kryer punë sa më të mirë. /Kosovapress/Telegrafi/ 

Exit mobile version