Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, kërkon që sa më shpejt të sqarohet situata nëse kanë apo jo të drejtë lojtarët kosovarë që përfaqësojnë shtetet tjera të ndërrojnë përfaqësuese.
Ai ka thënë se i kanë mbetur vetëm pesë javë para se ta dorëzojë listën e lojtarëve që do të paraqiten në ndeshjen e parë, atë më 5 shtator kundër Finlandës. Kosova është në Grupin I së bashku me Finlandën, Kroacinë, Ukrainën, Turqinë dhe Islandën.
“Ne jemi duke pritur një përgjigje nga FIFA për lojtarët. Është periudhë e shkurtër, pasi unë i kam në dispozicion vetëm edhe pesë javë për ta kompletuar ekipin, por nuk do të thotë se ne nuk kemi kontakte me lojtarët që përfaqësojnë shtetet tjera. Por, pa marrë një përgjigje nga FIFA nuk mund të dalim as me emra e as nuk mund t’u bëjmë ftesë”, ka thënë Bunjaki për gazetën Koha Ditore.
Bunjaki më herët ka deklaruar se do t’i ftojë lojtarët më të mirë kosovarë, pa dallim cilin shtet përfaqësojnë. Mendohet se nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA më së shumti do të preket Shqipëria dhe Zvicra.