Telegrafi

Bundestagu: Zgjedhje të reja në Maqedoni nuk janë zgjidhje

Komisioni për çështje evropiane pranë Parlamentit gjerman sot pas informacioneve të përgatitura nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka diskutuar për Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për situatën në Maqedoni dhe Bosnjë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në seancën e rregullt të Komisionit në të cilën morën pjesë 34 deputetë nga gjithë partitë parlamentare, përkrah situatës në BE pas fillimit të procesit të largimit të Britanisë së Madhe dhe krizës në Bosnjë, u diskutua edhe për situatën në Maqedoni.

Josip Juratoviq theksoi se duhet të vazhdohet me diskutime që të pranohet rezultati nga zgjedhjet dhe shumica parlamentare të formojë shumicë. Ai u shpreh i bindur se përgjegjësit politik në Maqedoni duhet të flasin qartë.

Mendim të njëjtë me Juratoviqin kishte edhe Torsten Frei nga CDU. AI tha se është nevojë urgjente që partitë të ulen në tavolinë dhe të gjejnë zgjidhje. Ndërsa sipas tij, zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për të dalur nga kriza./Telegrafi/