Mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi ka thënë se ai është i interesuar që të rikthehet në Gjermani, derisa beson se Bundesliga ka bërë një progres që kur ai u largua.
Lojtari shqiptar pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar jashtë Gjermanisë, pasi si 17-vjeçar u largua nga akademia e Hamburgut, për të kaluar te Evertoni.
Ai kishte bërë vetëm një paraqitje në vitin 2009 për skuadrën angleze, duke kaluar më pas te Sampdoria në vitin 2012.
Mustafi u largua edhe nga Serie A, për të kaluar te Valencia, aty ku kishte shkëlqimin më të madh në karrierë, e që Arsene Wenger vendosi të transferonte te Arsenali në vitin 2014.
Sidoqoftë, 28-vjeçari tani është afër largimit nga The Gunners, derisa kontrata i skadon në vitin 2021.
Mustafi ka deklaruar se ai është i gatshëm që të rikthehet në Bundesliga, pasi gjithmonë i intereson futbolli atje.
“Bundesliga gjithmonë më ka interesuar mua”, ka thënë Mustafi për Sport Bild. “Në zhargonin sportiv, aty është bërë progres i madh. Është po ashtu shtëpia ime”.
“Në këtë situatë, është e vështirë që të parashikohet e ardhmja ime, mirëpo do të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, ka shtuar më tej ai.
Mustafi ka filluar të humbë vendin e titullarit te Arsenali dhe mund të pajtohet për një rikthim në Bundesligë. /Telegrafi/