Kurrë më parë nuk janë parë kaq shumë njerëz, thonë në pikën e hipjes në tragetet që nga Brindizi shkojnë në Vlorë dhe Sarandë.
Në fakt Vendi i Shqiponjave po lë pas konkurrencën greke dhe italiane falë çmimeve të ulëta dhe plazheve të bukura. Nga viti 2012 deri në vitin 2017, hyrjet kanë kaluar nga 3,2 milionë në 5,1 milionë persona, mbi të gjitha italianë. Një parajsë pushimesh e arritshme nga të gjithë, por që rrezikon të dëmtohet nga rritja e ndërtimeve të resorteve dhe banesave të ngritura sipër shkëmbinjve dhe pa një plan urbanistik të qëndrueshëm, shkruan portali i njohur italian “Il Fatto Quotidiano”.
“Sa është rritur fluksi? Do të thoja rreth 100%. Pa asnjë dyshim”, thotë Angela Prete e zyrës së agjencisë “Albania Ferries”, e vetmja agjenci turistike që kryen linjën Brindizi-Vlorë dhe, në periudhën e verës, edhe linjën Brindizi-Sarandë.
“Kurrë nuk kemi parë kaq shumë njerëz. Në mbrëmje ka një radhë me makina që nuk mbaron, në pritje për të hipur nëpër tragete”, thotë ajo.
Në fakt ka dy linja ditore, asnjëherë në këtë periudhë nuk është shtuar një e tretë në mëngjes. Një vajtje-ardhje e vazhduar. Deri në fund të muajit nuk ka më vende, qoftë edhe për një veturë. Ka vende vetëm për pasagjerë në këmbë. Të gjithë të tjerët spostohen në portin e Barit për të vajtur në Durrës.
Shqipëria fillon që në Pulja, në shkallët e portit të saj, që vetëm pak vite më parë përdoreshin vetëm nga emigrantë që riktheheshin në atdhe për pushime. Tani, Shqipëria tërheq pa fund turistë dhe është duke thithur një pjesë të industrisë së pushimeve nga Italia dhe Greqia, mbi të gjitha atë me çmime të ulëta. Në pesë vite, nga viti 2012-2017, hyrjet e të huajve në Vendin e Shqiponjave kanë kaluar nga 3,2 deri në 5,1 milionë persona, sipas të dhënave të “Instat”, instituti shqiptar i statistikave. Për vitin 2018 pritet që këto të dhëna të rriten ndjeshëm.
Risia që përparon
Para orës shtatë të mëngjesit, anija nuk mbërrin në Vlorë, porti është i mbyllur. Kështu, udhëtimi që duhej të ishte jo më shumë se pesë orë zgjatet në shtatë orë. Kalohet me qetësi gjiri i gjelbërt dhe kafe, mes ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit. Qyteti në sfond është një seri pallatesh të paktën pesë katësh, çimento pa asnjë vazhdimësi, që vazhdon deri sipër maleve përreth. Ka vetëm një port ku ankorohet anija. Nga trageti zbresin makina dhe minibusë. Jashtë zonës së portit, Vlora është e papërmbajtshme. Nga lagjet e vjetra me shtëpi të vogla dhe formë katrore, me pjergullat plotë hardhi, nuk ka mbetur as edhe një gjurmë. Shqiptarëve u pëlqen Vlora e tyre e re. Për të treguar pjesën më të bukur, të dërgojnë të shohësh autostradën që hyn brenda në qytet, të ofrojnë të pishë kafe në baret e modës së fundit, të shëtisin tek “lungomare” e përfunduar pas tre vite punimesh duke p rishur edhe ndërtimet pa leje.
E kaluara nuk ekziston, është lënë pas shpine. E vetmja remineshencë është xhamia Muradie, ish-kishë bizantine e transformuar në vitin 1537. Arriti të rezistojë për mrekulli, ndërkohë që gjithçka përreth është duke ndryshuar krejtësisht. Kjo është Vlora, porta e rivierës adriatike, destinacioni më i preferuar i pushuesve. Kryeministri Edi Rama e di këtë, di edhe se porti, që është i vogël, nuk mjafton më. Për t’i dhënë një impuls të ri turizmit bregdetar, në janar u miratua dekreti për ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar. Do të jetë më i madh se ai i Tiranës, do të kushtojë 90 milionë euro dhe do të financohet dhe ndërtohet nga privatë, pra nga kompanitë turke “Cengiz Construction”, “Kalyon Construction” dhe “Kolin Construction” që përbëjnë konsorciumin që ka realizuar limanin e tretë të portit të Stambollit, më i madhi në zonën euroaziatike.
“Salentoja dhe Romanja e Shqipërisë”
“Kemi një qytet krejtësisht të ri, por edhe një natyrë fantastike, plazhe të bukura, një histori për të treguar dhe zbuluar, përveç një ushqimi të mrekullueshëm dhe të njëjtë me kuzhinën italiane. Shumë prej jush më thonë se edhe spagetit tek ne janë më të mira!”, thotë kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli duke shpalosur formulën fituese. Disa ditë më parë, ai ishte në San Dana, në provincën e Leçes, për t’i bërë homazhet shenjtorit me origjinë nga qyteti i tij, gjatë ekspozitës “Salento-Shqipëri. Një urë mes dy brigjeve”. “Unë nuk jam në konkurrencë me ju, por me veten time”, thotë ai duke buzëqeshur.
Pjesa mes Vlorës dhe Sarandës, deri në Ksamil, përballë Korfuzit, është ajo që shumë italianë, për më thjeshtë, e quajnë “Salentoja e Shqipërisë”, nëse nuk do të ishte për malet që ndodhen pas, duke sikur je duke qëndruar përgjatë bregut mes Otrantos dhe Leukas. Tani këtë e dinë edhe turistët.
“Kjo është zona më e kërkuar dhe zgjidhet kryesisht nga pushues që vijnë nga Kampanja, Lacio, Siçilia dhe Lombardia, në veçanti Milano. Puljezët e vizitojnë kryesisht në fundjavë ose gjatë ditëve të festave. Më i ulët është numri i pasagjerëve nga Toskana, Liguria dhe Emilja”, shpjegon Angela Prete. Për këta të fundit është më e thjeshtë të marrin linjën nga Ankona për në Durrës, për të arritur në bregun verior që cilësohet si “Romanja e Shqipërisë”.
Kanë qenë 1,919 milionë të huajt që kanë hyrë në vend në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, 9% më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2017. Por, është ende herët për të njohur shifrat maramendëse të kësaj vere, por ato të qershorit janë një ide. Fluksi është rritur me 13,3% në krahasim me vitin e kaluar. Madje INSTAT thekson se Shqipëria ka filluar të thithë shumë turistë nga Europa Lindore, +26,4% polakë kanë ardhur në mesin e parë të vitit. Shumë janë edhe maqedonasit, vetëm pak hapa larg liqenit të Ohrit, por nga Europa Jugore vjen rreth 80% e udhëtarëve, të ndjekur nga amerikanët, kinezët dhe japonezët. Mes vitit 2012 dhe vitit 2017, prania e europianëve ka kaluar nga 3,2 në 4,7 milionë në 5,1 milionë të huaj që janë gjithësej. Jo keq për një vend që numëron 2,9 milionë banorë, pak a shumë sa qyteti i Romës.
Çmimet shumë të lira
Deri në mes që qershorit, promocionet kanë qenë shumë joshëse dhe të shumta, këtë vit, ka filluar prenotimi i anijeve dhe hoteleve që në janar. Deri në katër vite më parë, në fakt, mund të paraqiteshe direkt në terminalet e porteve të Brindizit dhe Barit për të blerë një biletë, diçka e paimagjinueshme sot. Një kolltuk në kuvertën e tragetit nga Brindizi në Vlorë kushton 60 euro për person, përfshirë taksat, ndërsa 80 euro për automjetet. Për Sarandën vlera arrin deri në 80-90 euro. Ndërsa një kabinë kushton 75 euro. Të ngjashëm, ose diçka më pak, janë çmimet nga Bari në Durrës. Për katër persona dhe një automjet, vajtje-ardhje, në mes të sezonit, shpenzohen 480 euro.
Kuzhina shqiptare është një zbulim më vete. Menutë e privilegjuara janë ato me mish, ndonëse mund të gjendesh në buzë të detit, me qingja dhe gica që piqen në hell për gjithë ditën. Një ushqim i bollshëm, nga antipasta deri tek ëmbëlsira, që kushton 25 euro. Një drekë me bazë peshk të freskët (ku më të preferuarat janë midhjet, ato që lejohen) jo më shumë se 35 euro. Shtëpi pushimesh, dhoma plazhi dhe hotelet janë për të gjithë xhepat. Shtatë ditë në Orikum, në apartament me kuzhinë, në gusht, kushton rreth 260 euro për dy persona, 37 euro dita. Në parkun e Llogarasë, një mal vetëm pesë minuta larg bregut, në godinat tradicionale, një dhomë çift kushton 40 euro me mëngjesin e përfshirë. Në Himarë, Qeparo dhe Dhërmi, përgjatë rivierës, ka dhoma me 40 euro ndërsa një apartament i tërë me pamje të bukur arrin maksimumi 100 euro. Në Sarandë, kushton 110 euro një dhomë dopjo në një prej hoteleve më luksoz ë të qytetit. Në Ksamil, duke prenotuar në internet, mund të gjendet një vend 25 euro për dy persona, por pa mëngjesin. Në të hyrë të qytetit, një radhë e gjatë me të moshuar me pankarta në duar të ftojnë të zgjedhësh apartamentet e fëmijëve të tyre, pallate të sapopërfunduar, të ndërtuar kudo dhe ende bosh.
Gabimi shqiptar: Çimentoja! Turizmi sjell shumë para dhe mundësi. Drejtoria e përgjithshme shqiptare e taksave, 13 gushtin e kaluar, ka certifikuar shfrytëzimin për këtë vit: në të paktën dy muaj numri i sipërmarrjeve që operojnë në zonat turistike është rritur me 58%. Nga 1 qershori deri në fillim të këtij muaji, janë 1 531 sipërmarrje të reja të regjistruara në zonat bregdetare veriore të Durrësit, Lezhës, Shkodrës dhe ato jugore të Vlorës dhe Sarandës. Në rritje edhe numri i vendeve të reja të punës, që duket është rritur me rreth 15 mijë njësi.
Në tremujorin e parë të vitit 2018, duke i qëndruar të dhënave të INSTAT-it në lidhje me turizmin, janë miratuar 221 leje ndërtimi për godinat e reja dhe janë gjithsej 200 944 metra katrore, 118,8% më shumë ndërtime se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Shqipëria më autentike nuk është as në Tiranë, edhe ky qytet pre e risisë. Duhet të shkosh në brendësi të vendit për të gjetur Gjirokastrën dhe Beratin, me qendra historike që janë shpallur trashëgimi e UNESCO-s. Korça dhe Voskopoja, zgjidhen kryesisht për pushimet dimërore, në Tepelenë dhe Shkodër vazhdon rikuperimi i zemrës së qytetit, është edhe Përmeti i ëmbël me banjat e Bënjës dhe Lugina e Valbonës, “mrekullia e Alpeve shqiptare”, zona krejtësisht natyrale. /kp/Telegrafi/