Site icon Telegrafi

Bumerangët e Serbisë

Serbia ka insistuar shumë në përmendjen e Rezolutës 1244 gjatë pjesmarrjes së Kosovës në nismat rajonale. Edhe pse të tjerët kërkuan që Serbia të heq dorë nga një dokument që tashmë nuk kishte ndonjë efekt praktik, ajo nuk nuk e bëri këtë. Pas negociatave të gjata, Serbia u detyrua të pranojë kompromisin për përmendjen e Rezolutës 1244 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Duket se ky insistim do t’i sjellë telashe vet Serbisë.

Serbia kishte interpretuar Rezolutën 1244 ashtu siç i konvenonte. Për fat të keq, disa në Kosovë bënë interpretime të ngjashme si Serbia dhe kështu quan ujë në mullirin e saj. Për fatin tonë të mirë, vet Serbia bëri gabim kardinal duke e kërkuar mendimin e GJND-së nëse shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Të gjithë e dimë se GJND tha qartazi se nuk ishte shkelur e drejta ndërkombëtare po as Rezoluta 1244.

Por, Serbia nuk heq dorë nga humbjet. Është mësuar me to. Këtë më së miri e përshkruan regjisori serb Lazar Stojanoviq duke marrë shembullin e komedisë britanike Monti Pajton që përshkruan Serbinë si individi që nuk heq dorë nga konfrontimi edhe kur i presin dorën e djathë, pastaj vazhdon me të majtën të cilën po ashtu ia heqin, mandej ai prapë vazhdon edhe pse i këpusin këmbët. Pra, edhe në kushte të tilla, mu si Monti Pajton, Serbia nuk ndalet edhe kur i heqin të gjitha gjymtyrët.

Ky vazhdim i luftës irracionale të Serbisë ka të bëjë me insistimin e përmendjes së rezolutës 1244 gjatë përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Zyrtarët e Serbisë në fakt kishin thënë se nuk vinte në shprehje kurrfarë prezantimi tjetër i Kosovës pos si “UNMIK-Kosovo” që do të tregonte se ishte UNMIK-u që “qeveriste” Kosovën. Bile thoshin se patjetër duhet të kishte prezencë të stafit të UNMIK-ut që do fliste i pari e tek mandej do të mund të fliste përfaqësuesi i Kosovës.

Pas presioneve të mëdha në të dy anët morëm një zgjidhje kompromisi që i jepte Kosovës të drejtën që “të flasë për vete dhe në emër të vet”, pra pa UNMIK-un në tabelë dhe në tryezë. Fituam një fusnotë ku përmendet Rezoluta 1244 dhe opinioni i GJND-së i cili thoshte se pavarësia e Kosovës nuk e kishte shkelur po atë rezolutë, që do të thotë se ishte në përputhje me të.

Është edhe një fakt shumë i rëndësishëm që nuk po përmendet dhe ka të bëjë me heqjen e “unilateralizimit” të Deklaratës së Pavarësisë. Në fusnotë nuk thuhet “në përputhje me Deklaratën e njëanshme” por thjesht përmendet vetëm Deklarata e Pavarësisë, pra pa atë të “njëanshme”.

Në fakt, në raportet ndërkombëtare kjo heqje e fjalës “e njëanshme” ka kuptim të madh dhe nuk është thjesht vetëm një heqje e një fjale të tepërt, por mund të merret si një qëndrim. Kjo për faktin se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 2008 paska qenë e “njëanshme” (sipas Serbisë) dhe tani nuk qenka e tillë.

Megjithatë, insistimi i përmendjes së Rezolutës 1244 do t’i sjellë probleme vet Serbisë. Tani Serbia do të mbajë zgjedhje, që nga ato lokale deri tek parlamentaret e me gjasë edhe presidencialet. Është interesant se tani, pas 12 vitesh, zyrtarëve të Serbisë u “paska rënë ndërmend” se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është në kundërshtim me Rezolutën 1244. Vet i ashtuquajturi sekretar në ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, e pranon këtë. Në fakt shkon edhe më larg duke pranuar se kompetenca e zgjedhjeve është bartur nga UNMIK-u tek “institucionet e përkohshme” të Kosovës.

Pranimi i zyrtarëve të Serbisë se Serbia shkel Rezolutën 1244 duke mbajtur zgjedhje në Kosovë, është në fakt bumerangu tjetër që Serbia pëson. Nëse nuk mund të mbash zgjedhje atëherë nuk ke edhe institucione, sepse në botën demokratike (ku Serbia mëton të jetë), institucionet krijohen në bazë të zgjedhjeve. Me këtë pranim kemi në fakt fillimin e zhbërjes së institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë, qoftë sipas Kushtetutës së Kosovës, qoftë sipas Rezolutës 1244. Nëse Serbia mban çfarëdo zgjedhjesh në Kosovë, atëherë humb çfarëdo të drejte që të thirret në Rezolutën 1244.

Është më se e qartë se rruga e Serbisë përpara, nuk është aspak me lule siç mund të lexojmë në opinione, analiza e debate të shumta tek ne. Edhe rruga jonë përpara nuk është me lule, por jo edhe aq e zymtë sa përshkruhet nga disa. Bumerangët që Serbia po pëson, hap pas hapi, po i bindin qytetarët e Serbisë në rrugën e gabuar që kanë marrë. Ashtu si edhe Monti Pajtonit, Serbisë po i “priten” të gjitha gjymtyrët me të cilat lufton Kosovën. Në fund do mbetet pas asnjë dhe do jetë e detyruar të lëshojë rrugë.

Exit mobile version