Telegrafi

Bulliqi tregon katër arsyet për të mos e votuar Thaçin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, në intervistën e tij në Zona B të Klan Kosovës, ka dhënë katër arsye që e shtyn atë të mos e votoj Hashim Thaçin për President, madje të mos merr fare pjesë në seancë.

“E para është se nga kontaktet që i kam pasur me këtë anëtarësi dhe kam kërkuar mendimin e tyre, në mënyrë unanime më është kërkuar që vota jonë të mos shkojë tek një kandidat siç është zoti Thaçi”.

“Pika e dytë është që kandidati i dytë të ishte nga LDK-ja, në kohën kur është zgjedhur zoti Rugova president ka pasur marrëveshje me PDK-në, por PDK-ja ka pasur kundërkandidat zotin Ramë Buja. Është dashur që edhe LDK-ja ta ketë një kandidat që të paktën të kemi alibi që të jemi në sallë”.

“Për demarkacionin ne iu kemi dhënë shumë material iu kemi thënë që të mos nguten, por këto nuk janë marrë parasysh, kjo është pika e tretë”.

“Pika e katërt, që në njëfarë forme ma kanë rritur bindjen që unë të mos jem pjesë e seancës fare ka qenë ftesa drejtuar simpatizantëve të PDK-së për të ardhur në Prishtinë në kohën kur ka pasur protesta e njerëz në tenda”.

“Të gjitha këto më kanë bindur që unë nuk duhet të jem pjesë e një seance të tillë, kur mundet të ketë probleme të tilla”.

Marrë parasysh të gjitha këto, Bulliqi ka thënë se ka vendosur të mos e mbështesë Thaçin, “edhe pse kam qenë i bindur se zoti Thaçi do ta fitojë postin e Presidentit”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka thënë se nga gjithë ky proces më e dëmtuara do të del LDK-ja.

“Unë besoj se nga gjithë ky proces LDK-ja do të del më e dëmtuara, këtë bindje s’mund të ma largojë askush. Unë mendoj që ne do të shkojmë në zgjedhje shumë shpejtë pasi situata është bërë e tillë. Për sa muaj rresht ne asnjëherë nuk kemi mundur ta mbajmë një mbledhje të rregullt”, tha ai

“Para zgjedhjes së Thaçit edhe nëse kishim shkuar në zgjedhje mendoj që LDK-ja do të kishte një arsyeshmëri të dalë para elektoratit të vetë ta kërkojë votën. Ne kauzën kryesore e kemi pasur kundër PDK-së kur kemi dalë në zgjedhje,” ka thënë Bulliqi, njofton Klan Kosova.

Më tej, Bulliqi ka dhënë idetë e tija për hapat e mëtutjeshme të LDK-së, sipas tij një koalicion i madh nuk është i shëndetshëm për demokracinë si dhe LDK-ja duhet të shkoj e vetmë në zgjedhje dhe për këtë duhet të ketë debat brenda partisë.

“Unë jam njëri vetëm njëri prej atyre në LDK që janë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm, nëse shumica nuk do ta kishin këtë bindje, kjo nuk do të qonte peshë”.

“Në qoftë se strukturat mendojnë se gjërat nuk kanë shkuar siç kanë qenë të parapara ato do të jenë vendimmarrëse në proceset që do të ec LDK-ja. Këto struktura janë të gatshme të ulen t’i diskutojnë të gjitha këto gjëra”, tha ai.

“Çfarë mendon kryesia e kam të qartë, por çfarë mendon elektorati unë e di që mendojnë ndryshe. Në asnjë formë nuk jam ithtar që të jenë dy parti të mëdha në koalicion, pasi mendoj që po ngulfatet demokracia në vend. Nëse subjektet e vogla mbesin të gjitha në opozitë, ato po ndjehen inferiore. Nëse koalicioni do të ishte me një subjekt të madh politik dhe disa të vegjël, mendoj që do ishte një koalicion shumë më i efektshëm”, ka përfunduar Bulliqi, njofton Klan Kosova.