Pas përfundimit të komisionit për Arsim, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, theksoi se në këtë mbledhje është vendosur që të krijohet një raport brenda të cilit përfshihen të gjitha lëshimet dhe problemet që janë krijuar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
Ai shtoi se për shkak të polarizimeve, gjendja dhe diskutimet brenda këshillit nuk janë në nivelin e duhur.
“Gjendja brenda këshillit nuk është aspak e mirë për shkak se polarizime të mëdha brenda këshillit dhe si pasojë e kësaj, dalin në shesh një varg lëshimesh dhe probleme të cilat janë paraqitur në punën e këtij këshilli, të cilat drejtë për së drejti ndikojnë edhe në çështjen e akreditimit të institucioneve në arsimin e lartë. Aty u diskutuan një sërë problemesh dhe në fund ne si komision erdhëm në përfundim që ky institucion të hartojë një raport të plotë rreth asaj çfarë ka ndodhur në mënyrë që ta kemi atë raport dhe të krijohet një auditim për punët dhe lëshimet që kanë ndodhur në këtë institucion”, tha Bulliqi.
Kurse, deputeti nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, tha se javën e ardhshme synojnë t’i ftojnë në mbledhje edhe rektorët e UP-së, në mënyrë që të diskutohet për cilësinë arsimore, e që sipas tij, fare pak është diskutuar në këtë komision.
“Javën e ardhshme ne synojmë t’i ftojmë në mbledhje edhe rektorët e universiteteve publike, që të dëgjojmë edhe nga ta edhe për procesin e akreditimit por gjithsesi edhe për cilësinë, që fare pak është debatuar sot, në mënyrë që të vazhdojmë me hapat tutje, por ajo që kemi dëgjuar sot, nuk është mirë për arsimin në përgjithësi. Synojmë që në kompetencat tona si komision i Arsimit t’i shtyjmë proceset përpara”, tha Abrashi.
Kurse deputeti Fitim Uka nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se si parti kanë ngritur shqetësime për emërimin e tre anëtarëve të rijnë në këshillin drejtues në UP, e që sipas tij ky veprim është shumë i ngutshëm dhe përmban konflikt interesi.
“Kemi ngritur shqetësimin për emërimin e tre anëtarëve të rijnë këshillit drejtues në Universitetin e Prishtinës, ne gjykojmë që një emërim i tillë është i ngutshëm dhe mund të paraqesë edhe konflikte interesi, kjo për faktin që 2 nga 3 anëtarët japin mësime në institucione private dhe të vendosen në këshillin drejtues të UP-së është e pa pranueshme. Sido qoftë sot nuk kemi pasur bashkëpunim me kolegët tjerë deputet, që këtë debat ta konsumojmë brenda komisionit për arsim, dhe si rëndom temave të tilla ju ikin deputetët tjerë”, deklaroi Uka.
Uka theksoi se ditën e sotme nuk kanë pasur bashkëpunim me deputetët tjerë, për shkak se siç tha ai temave të tilla iu ikin deputet. /KP/