Telegrafi

Bulliqi skeptik që rruga Prishtinë – Podujevë të kryhet në vjeshtë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi është shprehur i pakënaqur me intensitetin e punimeve për zgjerimin e rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë.

Madje Bulliqi sheh gjasa që ky projekt të mos kryhet në kohë, ashtu siç u premtua, në vjeshtën e këtij viti.

“Vitin e kaluar diku në vjeshtë është lidhur kontrata 38 milionë, nëse nuk gaboj, për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë dhe premtimet kanë qenë që në vitin 2024, që i bie kjo vjeshtë e këtij viti, duhet të përmbyllet kjo rrugë. Faktikisht intensiteti i punimeve që është duke ecur së paku prej kësaj që shoh, kam frikë që do të jetë problematike të përmbyllet në vjeshtën e këtij viti. Në veçanti kur kemi parasysh që janë edhe disa ura të cilat kërkojnë volum më të madh të punëve. Nuk jam i kënaqur me intensitetin e punëve që po i kryen kompanitë e kontraktuara”, është shprehur ai në në Tëvë 1.

Kreu i Podujevës thotë se nëse arrihet të përfundohen së paku dy trase, do të ishte një sukses i madh.

“Nëse arrihet që së paku dy trasetë e rrugës të kryhen deri në vjeshtën e këtij viti, besoj që do të jetë një sukses i madh, sepse është një rrugë jashtëzakonisht e ngarkuar dhe me trafik dhe kërkesat dhe nevojat kanë qenë kahre që të kryhet ky projekt”, shtoi ai.