Ditë më parë u raportua se Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror kishte dhënë dorëheqje, meqë rast ka reaguar kryesuesi i këtij Komisioni Shpejtim Bulliqi.
Bulliqi ka thënë se nuk ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, dhe se për shkak të pozicionimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ai ka kërkuar mendim nga Agjencia Antikorrupsion dhe Zyra Ligjore në Kryeministri nëse ka konflikt interesi për ta ushtruar këtë detyrë.
Bulliqi këtë sqarim e bëri përmes një shkrimi në Facebook, ku tha se ai do të vazhdojë punën normalish bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit.
“Për hir të manipulimeve mediatike e politike që po bëhen ditëve të fundit nga disa media të shkruara e eksponentë politikë, ju bëj me dije juve dhe opinionin publik se unë si Kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, nuk kam dhënë asnjë dorëheqje nga kjo pozitë. Për shkak të pozicionit tim të ri në Kuvendin e Kosovës kam kërkuar mendimin e Agjensisë Antikorrupsion dhe Zyrës Ligjore në Kryeministri, lidhur me atë se a ka konflikt interesi për ta ushtruar këtë detyrë. Me një fjalë ne vazhdojmë punën tonë së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit, normalisht”, shkruan Bulliqi.
Ndërsa ishte Florim Isufi, ai i cili kishtë bërë të ditur përmes një postimi të gjatë në Facebook, ku i ka cekur edhe arsyet pse kanë dhënë dorëheqje.
Sipas tij, situata në të cilën gjendet shoqëria kosovare është shumë e rëndë dhe kërkon mobilizim maksimal për tejkalim sa më të lehtë.
“Ne që më datë 11.03.2020, kemi paraqit dorëheqjen nga ky komision pran kryeministrit të Republikës së Kosovës. Dorëheqja është pasoj edhe e koalicionit të ri, ku pjesë e qeverisë është një parti e cila me egërsi të pa parë e mbronte delimitimi/”demarkimin” e vijës kufitare sipas marrëveshjes së vitit 2015”, kishte shkruar Isufi. /Telegrafi/