Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi sot ka zhvilluar takim me drejtorin e Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Driton Hetemi.
Në këtë takim është diskutuar për punën e deritanishme që ka kryer FKEE në Komunën e Podujevës dhe projektet e radhës ku mund të investohet, transmeton Telegrafi.
Në një njoftim nga komuna e Podujevës, thuhet se deri tash FKEE ka përfunduar 5 projekte dhe 5 të tjera pritet të zbatohen sivjet, ndërsa do të investohet në instalimin e paneleve solare në Podujevë.
“Me projektin e efiçiencës së energjisë sivjet do të investohet në objektin e Komunës së Podujevës në instalimin e paneleve solare, në IAAP ‘Isa Boletini’, SHFMU ‘Ali Ajeti’ Lladoc, SHFMU ‘Hamit Sejdiu’ Kërpimeh, dhe SHFMU ‘Shefki Kuleta’ Tërrnavë. Në të gjitha objektet shkollore do të bëhet izolimi termik i mureve dhe kulmi, ndërrimi i dritareve, përmirësimi i ndriçimit, përmirësimi i sistemit të ngrohjes dhe ujit sanitar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ndryshe, 176 familje të Podujevës kanë përfituar investime në efiçiencë të energjisë, në vlerë 705 mijë euro. Kurse shuma totale e mbështetjes në projekte të ndryshme nga FKEE për Komunën e Podujevës dhe qytetarët tanë është 2.3 milionë euro. /Telegrafi/