Telegrafi

Bullgaria “varros” projektin Burgas-Aleksandropulos

Qeveria e re e Bullgarisë që doli nga zgjedhjet e fundit, i ka shpallur luftë të hapur këtij projekti duke e konsideruar atë si të paleverdishëm për vendin. Marrëveshja që Bullgaria ka nënshkruar në vitin 2007, nuk i jep mundësi tërheqjeje nga projekti e për pasojë, qeveria po gjen arsye për ta bllokuar. Burgas-Aleksandropulos është një projekt që synon t‘i japë Rusisë kontrollin faktit të rrugëve të nxjerrjes në tregun ndërkombëtar të një pjese të naftës së basenit të detit Kaspik.

Projekti synon të shmangë ngushticën e Bosforit, e cila konsiderohet si tepër e ngushtë për të kaluar të gjitha anijet e nevojshme me naftë. Projekti u iniciua në vitin 1993 si një alternativë ndaj naftësjellësit AMBO që qe mbështetur nga disa kompani amerikane. Rusia zotëron 51 për qind të aksioneve të Burgas-Aleksandropulos ndërsa Greqia e Bullgaria zotërojnë pjesën tjetër.

Rusia duket se ka një alternativë tjetër. Pak muaj më parë, Moska nënshkroi me Ankaranë marrëveshjen e mirëkuptimit për të ndërtuar një naftësjellës tjetër që duhet të kalojë përmes territorit të Turqisë dhe të lidhë Detin e Zi me Detin Egje.