Site icon Telegrafi

Bullgaria pro marrjes së statusit për Shqipërinë

Presidenti Plevneliev ka nisur agjendën e tij me një takim me homologun e tij shqiptar Bujar Nishani ku në fokus të bisedimeve kanë qenë thellimi i dialogut politik dhe tregtisë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, procesi i integrimit i Shqipërisë si dhe çështjet me rëndësi dypalëshe.

Presidenti bullgar rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian duke theksuar se Bullgaria do të votojë pro marrjes së statusit në qershor.

“Bullgaria gjithmonë ka mbështetur dhe do të mbështesë integrimin e Shqipërisë. Bullgaria në qershor votoi pro marrjes së statusit kandidat për Shqipërinë dhe do të vijojmë të mbështesim edhe në qershor. Ne t`ju mbështesim në rrugën tuaj të integrimit dhe do të ndajmë me ju përvojat dhe gabimet që kemi bërë ne që rruga juaj drejt integrimit të jetë më efektive”, tha presidenti bullgar.

Ndërsa presidenti Bujar Nishani tha se integrimi në Bashkimin Europian është objekti kryesor i Shqipërisë. Sipas kreut të shtetit, integrimi është një proces që duhet të bazohet në meritë dhe si i tillë Shqipërisë duhet t`i jepet statusi në qershor për arritjet që ka bërë.

“Integrimi është një proces që ka përpara sfidat e tij dhe për ti përmbushur të gjitha kriteret që duhet. Ne besojmë që në qershorin e ardhshëm të ketë një vendim pozitiv për Shqipërinë, por ky vendim është një stacion pasi rruga drejt integrimit ka shumë sfida përpara. Procesi i integrimit europian do të jetë i merituar dhe unë mendoj që Shqipëria duhet të vlerësohet për atë që ka bërë deri më tani dhe të inaugurohet për atë që duhet të bëjë më pas”, tha presidenti Nishani. /Telegrafi/

Exit mobile version