Telegrafi

Bullgaria, kundër anëtarësimit të Maqedonisë në BE

“Bullgaria është në listën e atyre vendeve që kundërshtojnë caktimin e një date për fillimin e negociatave”, thuhet në deklaratën zyrtare të Qeverisë bullgare.

Maqedonia është një vend kandidat që prej vitit 2005, por avancimi i mëtejshëm është bllokuar si pasojë e vetos greke për problemet me emrin, transmeton TCH.

Megjithatë, ndërsa e ardhmja evropiane e Maqedonisë është rikthyer në rendin e ditës, Bullgaria duket e vendosur që të kushtëzojë aprovimin e saj me raportet e “fqinjësisë së mirë”.

”Bullgaria mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, por kjo mund të ndodhë vetëm duke respektuar fqinjët dhe duke ndërprerë fushatën antibullgare që po realizojnë aktualisht autoritetet maqedonase”, shkruhej në deklaratën e firmosur nga presidenti Rosen Plevneliev dhe kryeministri Bojko Borisov.

Bullgaria ishte vendi i parë që njohu shtetin e pavarur maqedonas në 15 janar 1992.

Megjithatë, Sofja pretendon se maqedonasit kanë origjinë bullgare dhe se gjuha e tyre është një dialekt i bullgarishtes, diçka të cilën Shkupi e përgënjeshtron me forcë. /Telegrafi/