Maqedonia është mposhtur thellë sot nga Bullgaria, në miqësoren e fundit para ndeshjes së tyre kualifikuese ndaj Kosovës që zhvillohet më 2 gusht në Prishtinë.
Bullgaria është treguar e mprehtë në gjuajtje për tre pikë dhe ka fituar me 22 pikë dallim, duke e mposhtur Maqedoninë me rezultat përfundimtar, 96-74.
Bile, edhe mediat maqedonase kanë cekur se 19 treshe të pranuara nga reprezentacioni i tyre vënë në rrezik edhe ndeshjen ndaj Kosovës, pasi që parashikojnë se Kosova armë më të fortë ka gjuajtjet për tre pikë.
Derisa në turneun miqësor të javës së kaluar Maqedonia u dallua me mbrojtje të mirë dhe sulm të dobët, kësaj radhe në Botevgrad të Bullgarisë, ekipi ka qenë shumë më i dobët në mbrojtje, kanë theksuar në Sport-in maqedonas.
Më të dalluarit te Maqedonia në përballjen e posa përfunduar kanë qenë Janeski dhe amerikani i natyralizuar Theodore, që shënuan nga 14 pikë. Pas tyre janë dalluar Kostoski dhe Chekovski me nga 10 të shënuara. /borozani/