Niveli i bulizmit vazhdon të jetë i pranishëm në institucionet edukativo-arsimore të Kosovës.
Këtë e dëshmon edhe sondazhi i realizuar së fundmi nga Pyper përmes një mostre jo të rastësishme ku edhe vërehet se një pjesë e madhe e pjesëmarrësve ndihen të shqetësuar për nivelin e bullizmit në institucionet arsimore.
Prej të gjitha institucioneve arsimore, pjesëmarrësit konsiderojnë se dukuria e bulizmit më së shumti është e pranishme në shkollat e mesme (58.31%) dhe shkollat fillore (31.94%) si dhe në një përqindje më të vogël në universitet/kolegj (4.37%). Po ashtu, vlen të theksohet se prej të gjitha llojeve të pranishme të bulizmit në Kosovë, bulizmi verbal (55.79%) është konsideruar si lloji më prezent i bulizmit nga pjesëmarrësit, duke lënë pas atë kibernetik (25.16%), si dhe fizik (17.91%).
Veç kësaj, vetëm këtë vit shkollor një përqindje e konsiderueshme e nxënësve në shkolla të mesme si dhe e studentëve raportojnë të kenë përjetuar bulizëm verbal, duke lënë kështu pas bulizmin kibernetik dhe fizik.
Sa i përket bulizmit fizik, vërehet dukshëm se kjo dukuri është më e pranishme në shkolla të mesme (12.16%) sesa në fakultete/kolegje (6.67%). Po ashtu, në po të dyja institucionet vërehet se këto forma të ngacmimit në shumicën e rasteve ndodhin brenda dhe jashtë hapësirës së shkollës apo fakultetit/kolegjit.
Gjithashtu, përveç në shkolla të mesme dhe universitet, bulizmi shihet se është mjaft i pranishëm edhe te edukimi fillor.
Prej të gjithë pjesëmarrësve të anketuar nga Pyper, 40.84% e tyre kanë qenë prindër të cilët kanë ndonjë fëmijë duke i vijuar mësimet në shkollë fillore.
Nga të gjithë prindërit e anketuar, 31.41% e tyre kanë pohuar se prej se ka filluar ky vit shkollor, fëmija i tyre më i vogël është ankuar të paktën një herë rreth bulizmit nga ndonjë nxënës, më saktësisht për bulizëm fizik (38.78%), bulizëm verbal, (34.69%) si dhe bulizëm kibernetik (34.69%).
Prej të gjithë prindërve fëmijët e të cilëve kanë përjetuar ndonjë formë bulizmi, pjesa më e madhe e tyre (71.43%) kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm sa i përket kësaj çështje siç janë: bisedimi me mësimdhënësin (51.43%), bisedimi me nxënësin/en që e ka ngacmuar fëmijën (28.57%), bisedimi me fëmijën e vet lidhur me bulizmin (20%), bisedimi me prindërit e nxënësit/es që e ka ngacmuar fëmijën (20%), bisedimi me drejtorin e shkollës (17.14%) si dhe së fundmi konsultimi me policinë (8.57%).