Site icon Telegrafi

Buldozerët dhe kombajnat si metafora politike

Tash së fundmi, një gazetë e jona ditore, e quajti “Buldozher” (ekskavator) komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman, i cili pohohet se i çeli rrugët e bllokuara me një marrëveshje ende të paqartë me serbët e veriut dhe përfaqësuesit e tyre “në rroba verore”, dhe të hyrë (i)legalisht në Kosovë. A ishte ky emër përkëdhelës, nxitës apo vetëm një metaforë për të përshkruar vrullin ushtarak, kaq të dëshiruar, kjo mbetet mbase e paqartë. Sidoqoftë rrugët ende mbeten të bllokuara për qytetarët dhe për zyrtarët e Republikës së Kosovës. Thuhet që afati i zhbllokimit të mos jetë përcaktuar ende, se KFOR-i do të jetë i durueshëm, madje në barrikada po shihen edhe fytyra të reja të cilët nuk duken të jenë me prirje për humor. Kjo ndërhyrje e gjeneralit , ndodhi pasi aksioni tejet “i suksesshëm” i qeverisë kishte arritur të mobilizonte serbët e veriut të Kosovës dhe nuk kishte arritur të hapte rrugët e bllokuara. Sidoqoftë kjo nuk ishte pengesë që nga shumica e mediave kjo të shpallej si një sukses i madh dhe një fitore e Kosovës. Mbetet megjithatë borxh i qeverisë , një falënderim i veçantë publik për njësitë e KFOR-it, për transportin me helikopter të policëve të njësive speciale, dhe kujdesi për ta në ato rrethana kur ishin dërguar në një situatë luftarake, krejtësisht të papërgatitur.

Marrëveshja e arritur i gëzoi të gjithë, ndërkombëtarët sidomos, sepse pak a shumë e qetësoi dhe qartësoi situatën dhe e bëri më të ditur për publikun raportin e forcave në veri të vendit dhe rreth kufijve të tij.

Kur jemi te metaforat politike, sidomos ato që përmes makinerisë së rëndë tentojnë që të rrisin edhe peshën politike të zyrtarëve tanë, ia vlen të përmendet se kryeministri, tashmë njihet për së paku dy metafora që simbolizojnë epokën e industrializimit të shpejtuar të bujqësisë.

Para disa vitesh, në fushatën gjithsesi qëllim mirë të qeverisë për integrimin e minoriteteve në shoqëri, kryeministri kishte treguar shkathtësitë ngasëse, duke hipur dhe duke u fotografuar mbi ulësen e traktorit të cilin po ia falte një kryefamiljari serb nga komuna e Lipjanit. Traktori ishte blerë me mjetet e buxhetit të Kosovës. Kjo përkundër ironizimeve të shumta, megjithatë nga opinioni ishte pritur si një tentim që të bëhet një qasje ndryshe ndaj minoritetit serb.

Ndërkaq së voni, kryeministri i vendit, kishte kryesuar, në cilësinë e shoferit edhe kolonën e kombajnave në fushatën e korrje-shirjeve. Mesazhi, të cilin do të ia kenë sugjeruar zyra rurale për informim, me gjasë ka qenë i paramenduar me qellim ngritjen e imazhit të qeverisë, në sytë e pjesës rurale të vendit. Madhësia e kombajnës dhe qëndrimi dinjitoz i shefit të qeverisë ishin mbresëlënës. Sidomos për pjesën rurale të votuesve, prej të cilëve edhe kishin marrë votat më të shumta, ose ua kishin marrë, kthejeni si të doni.

Në fakt, për tu bërë krejtësisht konfuz lidhur me metaforën e kombajnës, më duhet të rrëfej një situatë kolapsi të para disa javësh, kur u bllokova në një kolonë të gjatë disa kilometra prej kombajnash që po udhëtonin në rrugën magjistrale, dhe po lëviznin në një distancë prej 100-200 metrash njëra prej tjetrës. Në mes tyre ishin bllokuar qindra vetura dhe po aq shofer të acaruar keq nervash, duke ecur me shpejtësi mezi 20 KM në orë. Në këtë tollovi, në çdo tentim të tejkalimit nga ana e shoferëve të padurueshëm rrezikohej jeta e tyre dhe atyre që vinin përballë.

Këtu kombajna, kjo metaforë gjigante e përparimit agrar, po merrte papritmas përmasat e një pengese të madhe në rrugë, po simbolizonte frenuesin e qarkullimit. Bashkë me ngasësin krenar.

Të lajmë anash figurat e të shohim, çka ka mbetur pas kombajnave dhe buldozerëve, në fushatën e cila nxehu gjakrat në dy anët e lumit Ibër. Barrikadat ende qëndrojnë në rrugë, nga Serbia vijnë vullnetarë të cilët bashkëngjiten në sistemin tashmë mirë të organizuar të kryengritjes. Kryetari serb Tadiq, mbase tash do te dal si shpëtimtarë dhe do të zhbllokoj rrugët pas takimit në Beograd me kryetarët e komunave serbe të Kosovës. Natyrisht për këtë Tadiq do të kërkojë shpërblim politik. Ajo që mbetet pas tërheqjes së tyre është mesazhi se ato do të jenë aty sa herë që do të i duhet politikës serbe.

Në kufi tashmë qëndrojnë vetëm njësitë e KFOR-it, ndërkaq njësitet speciale, sipas ministrit Rexhepi nuk do të intervenojnë më në veri pa koordinim me KFOR-in. Përkundër deklarimeve qeveritare se ka bllokuar kontrabandën, ajo zhvillohet rrugëve alternative të cilat i kishte hapur ish armata jugosllave për nevoja të sajë.

Kështu, pak a shumë të zhgënjyera, mediat të cilat i frynë intervenimit në veri, tash e miklojnë “bulldozherin” e KFOR-it i cili po e menaxhon me kurajo “pataten e nxehtë” që ia lanë në dorë. Pasi mori edhe 700 forca shtesë, mbetet të shihet, a do të mjaftojnë të ndalojnë profiterët e luftës nga të dy anët e kufirit, kufi ky i cili është vizatuar përfundimisht në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mbase do të jetë sërish administrativ, vetëm kur Kosova dhe Serbia të jenë anëtare fuqiplota të BE. Por atëherë krimi i organizuar, i cili kërkon sërish gjak nga të dy anët e kufirit, nuk do të ketë fuqi të diktojë zhvillimet në rajon.

Exit mobile version