Ajo nuk është shumë e njohur për opinionin shqiptar pasi jeton në Australi, bukuroshja Elita Demiri edhe pse e re në moshë duket se është shumë zemërgjerë.
Ekskluzivisht për Telegrafin, Elita ka zbuluar projektet dhe planet e saj në të ardhmen.
Vetëm pak muaj më parë u përfol si shqiptarja që do të prezantojë Australinë në dy eventet më të rëndësishme të modës në botë , ‘’Miss World dhe Miss Universe’’.
Ka mbaruar shkollimin për fizoterapi në Gjermani e pastaj me familje është shpërngulur në kontinentin e largët, ku përveç punës si modele dhe menaxhere ajo ka edhe organizatën e saj të bamirësisë ‘’Cambodianchildrensfund’’ që është e lidhur me shtetin e Kamboxhës, mbretëri kjo shumë e varfër në kontinentin aziatik.
Elita, e cila nga të ardhurat vetanake po financon ndërtimin e disa shkollave atje, për Telegrafin ka thënë se ‘’Financimin e ndërtimit të shkollave e bëj vet nga financat e mia personale, edhe pse pagesën e bëj me pjesë pjesë sepse ndodh që mos të më mbërijnë dhe mua të ardhurat ku ndërtimi i një shkolle në kushte të atjeshme shkon deri në 2000 dollar amerikan’’.
Elita Demiri është me prejardhje nga Gostivari i Maqedonisë dhe premtoi se gjatë verës së ardhshme do të jetë prezente në vendlindje me qëllimin për të vizituar vendbanimet shqiptare që kanë nevojë për ndihmë, dhe së bashku me miqtë e saj në Australi do të krijojnë fonde për të kontribuar. /Telegrafi/