Pranë tij kemi kaluar shumë herë, dikush dhjetëra e dikush qindra herë, por shumë pak kanë kthyer rrugën për fshatin Gajre, që gjendet pranë urës më të gjatë në Ballkan në grykën e Kaçanikut.
Fshati i bukur malor gjendet vetëm 4 kilometra nga qyteti i Kaçanikut, të cilin e arrini përmes një rruge të bukur gjarpërore. Por ajo që e bën edhe më të bukur dhe të veçantë Gajren është ujëvara në fillim të fshatit.
Të tilla ky fshat ka rreth 40. E përveç bukurisë, kjo ujëvarë ka një histori goxha interesante. Ka mbi 200 vite dhe është ndërtuar për hekurudhën që gjendet aty pranë. Mirëpo banorët kanë dhe një lidhje më të. Pikërisht në këtë vend, është vrarë edhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare, gjë që e dëshmon edhe lapidari i ngritur në përkujtim të kësaj ngjarjeje.
‘’Fshati jonë i ka diku mbi 40-të. Këto janë ndërtuar për mbrojtjen e hekurudhës nga vërshimet, për shkak së këta përrenj, janë shumë të rrëmbyeshëm. Punimet e tyre më sa di unë kanë filluar para luftës së parë botërore dhe janë përfunduar pas lutës së dytë botërore. Shumë njerëz vijnë ta vizitojnë edhe pse nuk dinë historinë e tyre. Ky fshat ka diku mbi 500 vjet.’’, tha Ukshin Çallaku.
Edhe fshati ka histori shekullore mbi rezistencën ndaj okupatorëve të ndryshëm.
‘’Ky fshat ka kontribuar shumë gjatë gjitha periudha të historisë. Edhe gjatë Luftës së parë dhe dytë botërore, në kohën e komunizmit, kemi pasur të burgosur politikë, dhe gjithmonë kemi qenë aktivë në çështje kombëtare”, u shpreh ai.
Jeta në këtë fshat ka ndryshuar shumë, prej kohës që Ukshini ka qenë fëmijë. Ai mban mend që atëherë, që të gjithë rrugën, nga fshati deri në Kaçanik, iu është dashur ta bëjnë në këmbë. E kjo është bërë edhe më e vështirë kur iu është dashur të blejnë edhe miell e gjëra të tjera elementare.
Shumë gjëra kanë ndryshuar në Gajren e sotme. Në të kaluarën, i gjithë fshati është marrë me shumë me blegtori e bujqësi, e madje shumë prej tyre kanë qenë të punësuar në fabrikën e gëlqeres që tashmë është mbyllur.
‘’ Në krahasim më të kaluar nuk mund të përshkruhet gjendja ka qenë ë mjerueshme. Ka qenë një rrugë afër hekurudhës, ku ne kemi kaluar me këmbë, e kur kemi pas me ble edhe miell e zarzavate, me kuaj dhe gomar, I kemi shti nëpër lum. Ka qenë e tmerrshme, mirëpo popullata nuk e ka lëshu vendin, ka mbijetua këtu.’’, tha Çallaku.
Ajo që e bën këtë fshat karakteristik është lidhja që kanë banorët mes vete, dhe për faktin që shumica prej tyre nuk e kanë braktisur. Gjithmonë kanë ndihmuar njëri tjetrin, e madje shumë shpesh kanë mbledhur forcat për të ndërtuar diçka në fshat.
‘’Fshati jonë ka mbijetuar para luftës, se do familje e ka pas dikon të punësuar në industri, po që pas luftës është mbyllë. Pastaj shumë prej fshatarëve kanë dal jashtë endet, mirëpo përsëri janë kthyer dhe kanë ndërtuar shtëpia në fshat’’
E shumë shpejtë, Ukshini thotë se këtij fshati do ti shtohet edhe liqeni, e që do të bëhet një zonë e mrekullueshme turistike.
‘’Kjo zonë parashihet të jetë zonë turistike, na pak ma naltë e kemi liqenin, sepse mund të bëhet atraksion turistikë. Është një zonë që ja vlen me u vizitua për të gjithë ata që ende nuk kanë qenë këtu”, tha Çallaku.
E gjithë fshati ka pamjen e bukur të grykës së Kaçanikut, hekurudhën e trenit dhe lumit Neredime./RTVDukagjini/