Struga më herët është njohur si perlë e turizmit në Maqedoni dhe si një ndër qytetet më të mira në ish-Jugosllavi. Për këtë është përdorur edhe fraza ”Si Struga tjetër nuk ka” që edhe vet tregon se ka qenë e pa konkurrencë për ka bukuria!
Por çka ndodh tani në Strugë?
Nuk do ndalemi tek rreziku që kjo komunë mund të humbet nga partitë shqiptare dhe në katër vitet e ardhshme mund të udhëhiqet nga kuadër i partive maqedonase, LSDM ose OBRM-PDUKM.
Do flasim për problemin me deponinë e egër që mbi të gjitha i helmon struganët. Pas faktorit njeri, deponia e egër e shkatërron edhe mundësinë për të bërë turizëm.
Afaristët ankohen për ulje të numrit të rezervimeve kurse qytetarët ankohen për humbjen e gjallërisë së qytetit.
OBRM-PDUKM dhe LSDM në zgjedhjet e fundit fituan hiq më pak se nga 9 deputetë në Zonën Zgjedhore numër 5 ku bie edhe Struga. Mozaikun e listës së deputetëve e plotësuan edhe ”Aleanca për shqiptarët” dhe BDI me nga një ulëse në Kuvendin e Maqedonisë.
Por kjo nuk mjafton që këto 20 deputetë të reagojnë për Strugën e tyre, që sot po helmohet.
Struga gjithashtu ka edhe një ministër pa resor në Qeverinë e Maqedonisë. Ky është Ramiz Merko, edhe ish-kryetar i Komunës së Strugës për dy mandate. Si deputet shtesë nga ky qytet është edhe kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.
Përndryshe, struganët e kanë nisur betejën e tyre për të kërkuar pastrimin e deponisë së egër që helmon të ardhmen e qytetarëve dhe perspektivën e qytetit. është formuar një grup jo formal të quajtur ”Struganët për Strugën” që numëron tashmë dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile që veçse e kanë nisur betejën për qytet të pastër.
Qeveria e Maqedonisë të premten premtoi dislokim të kësaj deponie por deri sot asgjë nuk është bërë. Për të bërë këtë ishte angazhuar Ministria e Financave dhe sekretari i Qeverisë për të gjetur fonde rreth këtij misioni. Sot, e hënë (31 korrik) asnjë rezultat. /Telegrafi/