Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi gjatë fundjavës bëri të ditur se Qeveria do ta ngrijë çmimin e bukës me çka çmimi nuk duhet të jetë më shumë se 33 denarë dhe të mos jetë nën 450 gramë.
Me këtë propozim nuk pajtohen prodhuesit e bukës të cilët theksojnë se masa për rrymë të subvencionuar ka pasur efekt pozitiv, ndërsa ngrirja e çmimit do të nxisë ndaljen e prodhimit.
“Prodhuesit kanë ulur çmimet e bukës sipas për shkak të çmimit përfundimtar të energjisë elektrike e cila është e subvencionuar. Në treg kemi lloje të ndryshe, me pesha të ndryshme të bukës edhe për kategoritë sociale”, thonë bukëpjekësit.
Sipas tyre, masa e Ministrisë së Ekonomisë do të sjell dëme nga 3.000 deri në 15.000 euro në ditë për prodhuesit e bukës dhe disa do të mbyllenb.
“Ne morëm vendim unanim se ditën kur vendimi për të ngrirë çmimin e bukës del në Gazetë Zyrtare, ne nuk do të prodhojmë bukë të nesërmen. Secila kompani ka shpenzimet e veta dhe sipas shpenzimeve caktohet edhe çmimi. Asnjërin nuk e detyrojmë të blejë bukë prej 50 denarëve kur ka edhe bukë prej 30 denarë”, tha Goran Malishiq./Telegrafi/