Këtë ese ia dedikoj sakrificës së shqiptarëve ndër breza dhe shtetit gjerman me rastin e 30 vjetorit të bashkimit të tij.
Nga: Bajram Mjeku
Halim D. i lindur diku në Kosovën Qendrore, për herë të parë në vitin 1931 u nis me tren për në kryeqytetin e Jugosllavisë mbretërore në Beograd. Nuk shkoi për të studiuar, por për të bërë zanatin e sharrëxhiut në sheshin Terazia. Nga mëngjesi deri në muzg, përdorte sloganin: Dru me pre!, veçse këtë e thoshte në gjuhë të huaj dhe menyja e tij e vetme ishte bukë dhe rrush. E njëjta meny e përcillte në mëngjes, në drekë dhe në darkë.
Risia e vetme në jetën e tij, e cila ndodhte shumë rrallë ishte kur mbreti serb, Aleksandar Karagjorgjeviq salutonte me gardën e tij dhe derisa Halim D. ishte me sharrë në krah, detyrohej të ndalonte, pastaj të improvizonte një buzëqeshje në fytyrë dhe të klithte me sa zë që kishte: Rroftë Mbreti!
Një mëngjes të hershëm prilli të vitit 1941, avionët gjermanë bombarduan Beogradin dhe Halim D. derisa bënte punën e zakonshme të sharrëxhiut, pa disa oficerë të Gardës mbretërore duke shkulur epaletat e gradave. Oficerët serbë shanin nënat e tyre, që siç thoshin ata i kanë lindur në “kohë të pakohë!”. Halim D. u nis këmbë për në Kosovë dhe bëri dy javë udhë derisa u kthye në shtëpi, pasi nuk e dinte udhën. Ditën flinte në shtëpi të braktisura e natën udhëtonte nëpër terr.
Halim D. u vra në luftë përkrah Shaban Polluzhës në shkurt të vitit 1945. Për gjysmë shekulli, emri i tij nuk u përmend kurrë dhe dukej sikur gjithçka humbi pa nam e nishan. Halim D. la mbas vetes katër djemë e tri vajza. Një mëngjes të hershëm, pasi kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe shqiptarët në dimrin e vitit 1947 vuanin zinë e bukës, djali i tij Abdullah D. njësoj si baba i tij u nis me tren për në Beograd dhe në sheshin Terazia, vazhdoi zanatin e sharrëxhiut si baba i tij. Përdorte njësoj sloganin e babait: Dru me pre! dhe vazhdonte menynë e babait; bukë dhe rrush. Midis babës e djalit, ekzistonte vetëm një dallim. Tashmë ishte ndërruar regjimi monarkist dhe Mbretin Aleksandër e kishte zëvendësuar shefi komunist, Josip Broz. Kur ky i fundit parakalonte rrallë me gardën e tij nëpër Terazi, Abdullahu njësoj si baba i tij Halimi, improvizonte me shpejtësi buzëqeshjen në fytyrë dhe detyrohej të klithte me sa zë që kishte: Rroftë shoku Tito!
Abdullah D. vdiq i ri. Dikush tha se vdiq nga tifoja, dikush nga tuberkulozi, por kryesorja ai vdiq pa jehonë dhe kufoma e tij u kthye natën me tren, ashtu siç ndodhi kur qe nisur për në Beograd. U varros në varrezat e vendlindjes së tij, e cila tash nuk quhej Banovina Moravska, por Kosmet.
Abdullah D. la mbas vetes tre djemë e një vajzë. Hasani djali i madh i tij, ende pa i mbushur të tetëmbëdhjetat, si baba i tij Abdullahu dhe gjyshi Halimi, u nis me tren për në Beograd. Për ironinë e të gjithëve, ai nuk kërkoi punë në sheshin Terazia, por vendosi të punojë në sheshin Albania. Megjithëse kryeqyteti serb ishte zhvilluar shumë, ai tashmë nuk kishte mundësi të priste dru, por të pastronte tualete. Edhe Hasani vazhdonte menynë e babait dhe gjyshit; bukë dhe rrush, por që tashmë nuk i duhej të improvizonte buzëqeshjen, pasi as Titoja nuk jetonte më dhe shefat komunistë rrotulloheshin çdo vit si ruleti rus.
Një ditë ushtria serbe u çua peshë dhe nisi luftën me Bosnjën. Hasani një mëngjes të hershëm, në vend që të kthehej në Kosovë u nis për në Gjermani, mbasi kjo e fundit ishte bashkuar dhe po bëhej fuqia e parë në Evropë. Hasani pak vjet më vonë mori me vete gruan, të vetmin djalë Arbërin dhe dy vajzat e tij. Ai tashmë avancoi edhe zanatin, pasi nga pastrues toaletesh punonte në baushtell. Përkundër kushteve më të mira, ai nuk harronte menynë e trashëguar nga babai dhe gjyshi i tij; bukë dhe rrush. Kaloi edhe pak kohë dhe Hasani aksidentalisht ra nga grataçielet e një rrokaqielli që po ngritej dhe mbeti shakull në vend. Për dallim nga babai dhe gjyshi i tij, Hasanit iu organizua një varrim dinjitoz, mbasi përveç familjarëve, në ceremoninë e varrimit merrnin pjesë edhe miqtë e tij dhe shefat e kompanisë gjermane.
Arbër D. i cili është stërnip i Halim D. tashmë jeton në Republikën e Bavarisë. Ai ka ndërruar zanatin e babait, gjyshit dhe stërgjyshit të tij, përfshirë këtu edhe menynë. Në vend të menysë bukë dhe rrush, Arbëri kultivon disa dhjetëra hektarë rrush në Bavari, por shpesh derisa fle gjumë përjeton makth, duke iu dëftuar në ëndërr klithmat “Dru me pre” dhe menyja e vetme e babait, gjyshit dhe stërgjyshit të tij; bukë dhe rrush.