Site icon Telegrafi

​Bujqit kërkojnë që dëmet nga fatkeqësitë natyrore të kompensohen me 80 për qind

Një numër i bujqve nga rajone të ndryshme të Kosovës të mbështetur nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës, kanë protestuar të martën para Ministrisë së Bujqësisë, për mos realizimin e kërkesave të tyre.

Kryetar i Federatës Sindikale të Bujqësisë, Tahir Tahiri, duke folur për keqpërdorimet në sektorin e bujqësisë ka kërkuar edhe kompensim të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore me 80 për qind.

“Ne duam luftim të keqpërdorimeve, zhvillim të sektorit të bujqësisë dhe mbrojtje të bujkut dhe prodhimtarisë së Kosovës. Grantet dhe subvencionet e fermerëve po keqpërdoren. Të kompensohen të gjithë fermerët e dëmtuar nga kushtet klimatike e jo të selektohen disa. Të vendoset reciprociteti me vendet tjera të cilat nuk lejojnë prodhimet tona të shiten a po e dhe as të kalojnë në ato vende. Ministri ka premtuar që dëmet nga fatkeqësitë natyrore do t’i kompensoi me 25 për qind të dëmit të vlerësuar, kjo për bujqit është shumë pak dhe nuk është ndihmë as minimale. Ne kërkojmë kompensim me 80 për qind të dëmit të vlerësuar nga komisioni komunal”, ka thënë ai.

Derisa Tahiri ka shtuar se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen do të ketë protesta radikale.

Ndërsa, përfaqësues i bujqve të dëmtuar nga breshëri dhe shiu, Kreshnik Gjafolli, ka thënë se përmes kësaj proteste po kërkojnë kompensimin e shpenzimeve në mënyrë që vitin e ardhshëm të mos mbesin tokat e pa punuara.

“Jemi mbledhur këtu për të kërkuar ndihmë nga ministri për dëmet e shkaktuara nga breshëri dhe shiu, i cili dëmtoi produktet tona në fazën kur ato duhet të vileshin e të plasoheshin në treg. Ne po kërkojmë ndihmë në mënyrë që t’i paguajmë disa borxhe që na kanë mbetur në këtë vit dhe të mund të investojmë në vitin e ardhshëm. Me 25% të kompensimit të dëmeve ne nuk ndihmohemi, nuk ia dalim. Ne nuk kërkojmë fitimin total që mund ta kishim fituar, ne vetëm kërkojmë kompensimin e shpenzimeve në mënyrë që vitin e ardhshëm të mos i lemë tokat e pa punuara”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se këtë vit do të paguhen subvencionet dy herë, derisa për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore ka theksuar se nuk kanë buxhet të paguajnë më shumë se 25 për qind.

“Dua të njoftoj bujqit që këtë vit do t’i paguajmë subvencionet dy herë, krahasuar me vitin 2019. Po e marr shembull për sipërfaqe të drithërave do i paguajmë 2 pagesa nga 150 euro pra 300 euro gjithsej, e kështu për të gjitha tjerat. Po ashtu për këtë vit kemi e dhe programin për zhvillim rural për grante 29 milionë euro duke i shtuar kësaj edhe 2 herë subvencionet, kemi një përkrahje prej 79 milionë euro për bujqit, pra përkrahja më e madhe që iu është dhënë bujqve ndonjëherë nga Ministria e Bujqësisë brenda një viti buxhetor. Sa i përket kompensimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore është dëshirë e imja dhe vullnet i imi t’i paguajmë jo 80 për qind po 200 për qind por nuk kemi buxhet më shumë se 25 për qind, këtë buxhet që e kemi këtë po e ndajmë me bujqit”, ka thënë ai. /KP/

Exit mobile version