Interesimi i bujqve për mbështetje nga shteti po rritet. Numri i aplikacioneve të tyre për të marr grande e subvencione është dyfishuar.
Zyra e Divizionit të Miratimit që funksionon në kuadër të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë është mbushur me aplikacione të bujqve që kanë konkurruar për të marrë mbështetje për projektet e tyre në bujqësi.
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë thënë se nga informacionet e para del se bujqit më së shumti kanë konkurruar në përpunim të prodhimeve bujqësore.
Shkëlzen Dragaj , këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur për Gazetën Fjala se kanë pranuar aplikacione të 2137 fermerëve vetëm për grande.
Nga numri i përgjithshëm, aplikimi nëpër regjione është: Prishtina: 562, Prizreni: 535, Mitrovica: 282, Peja: 251, Ferizaj: 188, Gjilani: 186 dhe Gjakova: 133.
“Këtë vit kemi shumën më të madhe të buxhetit që do të mbështesim bujqit në disa kategori. Kështu edhe numri i aplikacioneve është dyfishuar”, ka deklaruar Dragaj.
Nga 20 milionë eurot e ndara për investime në ekonomitë bujqësore, parashihet të ndahen 11 milionë euro për investime në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, 5 milionë euro në diversifikimin e fermave, 1.5 milion në zhvillimin e bizneseve, ndërkaq në masën e ujitjes së tokave bujqësore do të jepen 2 milionë euro.
Përqindja e mbështetjes së bujqve me fondet e kësaj ministrie sillet nga 10% deri në 55%.
Buxheti total që do të jepet për grante sivjet është planifikuar 20 milionë euro.
Për investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore janë planifikuar 11 milionë euro. Për investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore janë planifikuar 5 milionë euro. Për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve janë planifikuar 1.5 milionë euro. Ndërkaq në Masën e Ujitjes së tokave bujqësore janë planifikuar 2 milionë euro.
Ai thotë se në bazë të dhënave preliminare numri i bujqve që mund të mbështeten me 20 milionë euro mund të tejkalojë 600. “Aplikimi më i madh është prodhimi bujqësor dhe përpunimi i produkteve bujqesire”, ka bërë të ditur Dragaj.
Ministria e bujqësisë ka edhe 23 milionë euro që do të shpërndaj bujqve në emër të subvencioneve.
Për këtë kategori interesim kanë shprehur mbi 3000 mijë fermer deri tani.
Por në ministrin e bujqësisë kërkojnë nga bujqit që vazhdimisht të përcjellin shpalljet e kësaj ministrie për tu informuar për kategori të caktuar të mbështetjes financiare. “Të mërkurën e shpallim raundin tjetër të subvencioneve që lidhet me blegtori, bletari, material fidanor dhe vreshtari”, ka deklaruar Dragaj.
Përkundër këtyre parave që priten të shpërndahen në shoqatën e bujqve kanë plot vërejtje për kanalizimin e tyre. “Ministria e Bujqësisë po i shpërndanë paratë pa prioritete. Bile ka gjera absurde në prioritete. Ministria edhe qeveria duhet të bëjnë përgatitje dhe orientime të parave në bazë të nevojave të fermerëve e jo në bazë të sugjerimeve që mund ti kenë”, ka deklaruar Tahir Tahiri, kryetar i Sindikatës së Bujqve Kosovarë.
Ai ka akuzuar edhe për dallavere ministrinë e bujqësisë, pavarësisht se ka pranuar se shuma e mjeteve për grande e subvencione nuk ka qen më e madhe asnjëherë se sa këtë vit.
Tahiri ka kërkuar që sektori i bujqësisë të orientohet nga fushat ku bëhen edhe punësime të njerëzve si për shembull përmes ndërtimit të fermave të mëdha e ku importi zëvendësohet me prodhim. /GazetaFjala/Telegrafi/