Bujqit ankohen se nuk shpërblehet marrja me bujqësi, duke konstatuar se sigurimi i ekzistencës nga bujqësia është gati i pamundur. Vlera bruto e njësisë për punë njëvjeçare është 5900 euro që është më shumë se dy herë më e vogël në raport me mesataren evropiane prej 13 mijë euro.
Maqedonia renditet ndër shtete që më pak punojnë tokën bujqësore në Evropë. Këtë e mbështesin edhe të dhënat krahasuese me shtetet e tjera në kontinentin e vjetër.
“Në Maqedoni në vitin 2016, kemi pasur tokë punuese që përfshin vetëm 40,73 për qind të tokës bujqësore , apo kemi pasur 516 mijë hektarë të tokë punuese në raport me 1 milion e 267 mijë hektarë të tokës bujqësore. Me këto shifra si shtet renditmi në vendin e dytë sipas vogëlsisë së tokës punuese për banor në Evropë, që e shprehur në shifra nënkupton se kemi tokë punuese për banorë prej vetëm 0.24 hektarë”, thotë për gazetën KOHA, profesori universitar Boris Anakiev.
FRAGMENTIMI I TOKËS BUJQËSORE
Në ndërkohë, ekonomistët e bujqësisë vlerësojnë se shkaqet e uljes kaq të madhe të tokës punuese bujqësore është edhe fakti se sipërfaqe të mëdha të tokave të punueshme, janë betonuar duke u shndërruar në zona industriale, ndërtesa kolektive, shtëpi private, objektet hoteliere, por edhe pompa të benzinës. Njëherazi edhe procedurat për ndarjen e tokës së trashëguar si dhe shpërngulja e madhe e popullatës nga vendbanimet rurale në vendbanimet urbane, por edhe jashtë shtetit kanë ndikuar në uljen e madhe të tokës punuese bujqësore në Maqedoni. Gjithashtu të gjitha shtetet e rajonit përfshi edhe Maqedoninë ballafaqohen me fragmentimin e tokës bujqësore në ngastra më të vogla, ndotjen industriale, degradimin, erozionin, gërryerjet e lumenjve, deponitë e kontrolluara apo te pa kontrolluara që janë të vendosura në tokat, si dhe shfrytëzimin jo të qëndrueshëm të tokës bujqësore. Bujqit nga ana tjetër ankohen se nuk shpërblehet marrja me bujqësi.
“Bujqit aktualisht gjenden në një situatë mjaft të vështirë. Kemi shtrenjtim të naftës dhe plehrave artificial, ndërsa grumbullimi i grurit, misrit dhe më shumë prodhimeve të tjera zhvillohet me çmime shumë të ulëta. Andaj edhe puna e jonë nuk shpaguhet dhe kalkulojmë prej fillimi me humbje Me fjalë të tjera nuk ka fitim dhe ardhmëri për sigurimin e ekzistencës nga bujqësia. Kjo i detyron edhe të rinjtë të ikin nga arat dhe të marrin rrugën e mërgimit”, thotë bujku Gjorgji Goçevski.
Nga ana tjetër, agronomët duke marrë parasysh pasojat e humbjes së tokës punuese bujqësore , më shumë herë kanë bërë thirrje për ruajtjen e tokës nga ndërtimet e pakontrolluara, pasi në të ardhmen, sipas tyre, Maqedonia do të ketë vështirësi që të sigurojë bukën dhe produktet kryesore bujqësore për nevojat e veta, si rrjedhojë e zvogëlimit të tokës punuese për kokë banori. “ Vëllimi i tokës punuese tregon se bujqësia në Maqedoni duhet të zhvillojë prodhimtari me produktivitet të lartë me sisteme intensive në lavërtari, pemëtari, kultivimin e rrushit dhe kulturat industriale, si dhe të zhvillojë shkallë të lartë të shfrytëzimit të kullosave, nëse dëshiron të kënaqë nevojat e saja për prodhimet bujqësore”,vlerëson profesori Anakiev.
TË RINJTË, TË PAINTERESUAR
Në anën tjetër po ulet me të madhe edhe interesimi i të rinjve që të merren me bujqësi apo blegtori. Të rinjtë në vend ti kthehen tokës , ato ikin jashtë shtetit. Të dhënat zyrtare tregojnë se një nga problemet kryesore të sektorit të bujqësisë në Maqedoni është plakja e fuqisë punëtore.
“Vetëm 10 për qind e të punësuarve në bujqësi janë të rinj të moshës 15 deri 24 vjeç. Të ardhurat e ulëta dhe kushtet e pavolitshme të punës në bujqësi, si dhe kushtet e përkeqësuara të jetesës në vendbanimet rurale i dekurajojnë të rinjtë të fillojnë të merren me bujqësi. Njëherazi të rinjtë janë më pak mobil apo në gjendje të lëvizin, dhe se vjen e më pak të lidhur me tokën dhe fshatin në aspektin emocional”, tregojnë analizat e Ministrisë së Bujqësisë.
Gjithashtu, në vitin 2013, vetëm 13.5 për qind e numrit të përgjithshëm të ekonomive bujqësore që kanë aplikuar për subvencione janë menaxhuar apo përfaqësuar nga bujq të rinj të moshës ndërmjet 18 dhe 40 vjeç. Analizat më tej tregojnë se pjesës më të madhe të fuqisë punëtore në bujqësi i mungon trajnimi formal bujqësor dhe shkathtësi afariste dhe menaxheriale. Më shumë se 60 për qind e të punësuarve në bujqësi janë të angazhuar si punëtorë që punojnë për mëditje , punojnë në pozita themelore të punës, dhe detyra pune për të cilat nuk nevojitet kualifikim më i lartë , apo përgjegjësi e kualifikuar. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh sasinë e kohës së harxhuar për punë, fuqia e rregullt punëtore në bujqësi llogaritet në 118 mijë punëtorë.
Në vitin 2012, produktiviteti i punës në bujqësi është rritur për 15 për qind që udhëzon se janë prodhuar prodhime me vlerë më të lartë të shtuar me punë më të vogël. Megjithatë , Vlera bruto e njësisë për punë njëvjeçare është 5900 euro që është më shumë se dy herë më e vogël në raport me mesataren evropiane prej 13 mijë euro. Rezultat e dobëta të produktivitetit të punës vijnë si rezultat i ekonomive të vogla bujqësore, tokave punuese bujqësore të shpërndara dhe të copëzuara si dhe prodhimtarisë së përzier bujqësore .
Ndryshe, ekspertët e bujqësisë sugjerojnë se nevojitet krijimi i kuadrove adekuate në bujqësi, për shkak se bujqësia produktive dhe konkurruese, është e pamundur pa zbatimin e teknologjive të reja, risive shkencore, farave të certifikuara dhe plasmanit të siguruara prej më parë. Mendimi se bujqësia mund të bazohet në traditën dhe aktivitetet e thjeshta pa arsim i takon historisë apo të kaluarës. Njëherësh nevojitet edhe fuqizimi dhe profesionalizimi i mëtejshëm i institucioneve bujqësore në shtetet e rajonit si Ministria e Bujqësisë dhe organet e tjera bujqësore, agjencitë laboratoret e kështu me radhë , që duhet të mbështesin zhvillimin e bujqësisë moderne të bazuar në dituri dhe shkencë. Njohësit e këtij sektori thonë se para dhjetë vitesh ishte i paimagjinueshëm zbatimi i teknologjisë së satelitëve në bujqësi, i dronëve, apo vozitjes së traktorëve pa prezencën fizike të fermerit. Adaptimet dhe ndryshimet financiare kërkojnë që mjetet e kufizuara me të cilat disponojnë shtetet në Ballkan të përdoren më mënyrë maksimalisht racionale. Kjo nënkupton që të hollat të shfrytëzohen për ato masa dhe tu jepen atyre shfrytëzuesve që mundet në maksimum të kontribuojnë ndaj zhvillimit të bujqësisë në një shtet./Koha.mk/