Telegrafi

Bujqësia, 12 milion euro buxhet nuk na mjaftojnë

Ministri Idriz Vehapi ka thënë të hënën në një konferencë për media se ministria që ai drejton gjatë këtij viti ka arritur të fusë nën sistemin e ujitjes 5 mijë hektar tokë bujqësore përmes rehabilitimit të sistemit të ujitjes dhe ndërtimit të pendëve të reja si në Prekallë të Burimit, ndërtimi i pendës në Jabllanicë të Gjakovës, ndërtimi i pendës në Grabanicë të Klinës, sistemi sekondar dhe terciar i ujitjes në Nashec-Grazhdanik të Prizrenit, shtatë pika shpërndarëse të ujit në Junik, një pjesë e sistemit të ujitjes në Drenas e cila është realizuar në bashkëpunim me Ibër-Lepencin.

Ai ka përmendur edhe rehabilitimin e kanaleve të ujitjes në Vushtrri, Dajkovc të Dardanës dhe Skifteraj e Mogillë të Vitisë. Vlera e të gjitha këtyre investimeve kap shumën prej 450 mijë euro.

Vehapi ka thënë se buxheti i vitit 2009 nuk i përmbush kërkesat e Ministrisë së Bujqësisë.

“Buxheti i vitit 2009 për Ministrinë e Bujqësisë do të jetë mbi 12 milionë euro që është më i madhi deri më tash.

Ky nuk i përmbush kërkesat e ministrisë, por këto janë kushtet që nuk mund të kemi buxhet më të madh”, ka theksuar ministri Vehapi.

Ai ka thënë se për herë të parë në Kosovë janë implementuar subvencionet ku qeveria ka ndarë 478.148 euro për subvencionimin e naftës për fushatën e korrje-shirjeve, respektivisht është bërë subvencionimi i naftës 30 % domethënë për 76.358 hektarë me grurë. /Telegrafi/