“Nuk duhet lejuar që provokimet e individëve dhe grupeve t’i cenojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore”, ishin unanimë ministrat e jashtëm të RMV-së dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Nikollaj Milkov në takimin e sotëm në Berlin që u mbajt në margjinat e takimit ministror të Procesit të Berlinit.
Në takim u shqyrtuan edhe provokimet e shumta nga disa grupe dhe individë në të dyja vendet, të cilët së fundmi dominuan në diskursin publik.
Ministrat thanë se të dyja ministritë punojnë në mënyrë aktive në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si interes i përbashkët dhe se nuk do të lejojnë që këto provokime ta prishin këtë proces, bëjnë me dije nga MPJ.
Mes të tjerësh, Osmani dhe Milkovi theksuan se vazhdimi i dialogut përmes takimeve dhe realizimit të projekteve konkrete janë mënyra e vetme e cila do të sjellë ndryshim të kontekstit brenda të cilit po veprohet dhe do të ndihmojë për të vendosur marrëdhënie të ngushta dhe miqësore mes vendeve dhe qytetarëve.