Site icon Telegrafi

Bujar Osmani sot në Vjenë, do ta prezantojë programin e kryesimit të RMV-së me OSBE-në

Delegacion i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot fillon vizitën zyrtare në Vjenë, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së në vitin 2023.

Siç njoftojnë nga MPJ, sot Osmani do të realizojë takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të vendit nikoqir të OSBE-së, Aleksandar Shallenberg, pas së cilës do të mbajë brifing për media, me të cilët do të ndajë informacione për programin e kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.

Agjendën e 12 janarit Osmani do ta nisë me takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmidt, pas së cilës do të mbahet ngjarja kryesore dhe fjalimi i tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në cilësinë e kryesuesit, kur dhe parashihet ta prezantojë Programin e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën.

Në fjalën e tij, Osmani do t’i referohet sfidave me të cilat do të përballet Maqedonia e Veriut gjatë kryesimit me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë në vitin 2023, duke pasur parasysh krizën e thellë, politike, të sigurisë dhe ekonomike në të cilën ndodhet rajoni i OSBE-së. Para Këshillit të Përhershëm, Osmani do të prezantojë programin e kryesimit nën moton “Për njerëzit bëhet fjalë”, fokus primar i të cilit do të jenë njerëzit dhe siguria e tyre në një epokë të pasigurisë dhe jostabilitetit rajonal dhe global.

Gjatë ditës, Osmani është paraparë të takohet me Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Alain Berset, me shtetin e të cilit Maqedonia e Veriut në vazhdimësi mban marrëdhënie të forta bilaterale. Në takim do të shkëmbehen mendime për zhvillimet aktuale në rajonin e OSBE-së, si dhe për rolin e saj në trajtimin e pasojave të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Në ditën e tretë dhe të fundit të vizitës së tij në Vjenë, Osmani do të zhvillojë takime me strukturat drejtuese të institucioneve të pavarura, si ODIHR, me organe të tjera ekzekutive të Organizatës, si dhe me krerët e misioneve në terren, duke përfshirë edhe një sërë takimesh me Përfaqësuesit e posaçëm të Kryesuesit.

Exit mobile version