Telegrafi

Bujar Osmani për lëshimin e KE-së: Nuk do t’i vendosim viza Kosovës, punojmë që të kemi “one stop shop”

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, ka folur në lidhje me gabimin e Komisionit Evropian, të cilët kërkuan që Maqedonia e Veriut të vendosë regjim vizash për Kosovën.

Osmani tha se ky gabim i KE-së është përmirësuar, ndërsa shtoi se RMV asnjë herë nuk do t’i vendos viza Kosovës.

Ai gjithashtu theksoi se po tentohet që të zbatohet “one stop shop” nëpër pikat kufitare me Kosovën, që mos të krijohen kolona të gjata dhe qytetarët të qarkullojnë lirshëm.

“Është gabim i Komisionit Evropian. Vendosja e Kosovës në listën e vendeve me të cilat duhet të kemi regjim vizash është lëshim i cili është rishikuar nga ana e Komisionit Evropian, asnjëherë nuk ka kaluar nëpër institucionet e KE-së sepse do të rishikohet sepse është kontradiktore me politikat e BE-së. Ne në kuadër të Procesit të Berlinit vetëm se nënshkruam marrëveshje për qarkullim mes 6 vendeve anëtare vetëm me letërnjoftim në rajon, kështu që trendi është i kundërti me vendosjen e vizave”, tha mes tjerash Osmani.

Ndryshe, Komisioni Evropian ka korrigjuar raportin në të cilin qortonte Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që nuk kanë vendosur regjim të vizave për Kosovën.

Raporti i publikuar më 5 dhjetor tashmë është korrigjuar dhe Kosova është fshirë nga kapitujt e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, të cilave u është kërkuar që të vendosin regjim të vizave për vendet e tjera, konform politikave të Bashkimit Evropian./Telegrafi/