Site icon Telegrafi

Bujar Osmani: Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës është testi më i madh i përkushtimit tonë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Bujar Osmani sot përmes video-fjalimit e hapi Konferencën e OSBE-së mbi Dimensionin Njerëzor, e cila po mbahet në Varshavë.

Siç theksoi Osmani në fjalimin e tij, kjo Konferencë ka për qëllim ta vlerësojë zbatimin e zotimeve të OSBE-së nga ana e vendeve pjesëmarrëse në domenin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe të ofrojë zgjidhje konkrete për të ardhmen.

“Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës është testi jonë më i madh se a mundemi të arrijmë t’i realizojmë zotimet tona të përbashkëta. Jemi dëshmitarë të dhunës, diskriminimit dhe pabarazive të vazhdueshme në të gjithë botën. Shohim kërcënime ndaj lirisë së shprehjes, tubimeve dhe shoqërimeve paqësore. Shohim sulme ndaj sundimit të ligjit dhe erozion të institucioneve demokratike. Këto sfida përkeqësohen me kërcënime të reja, siç janë ndikimi i teknologjive të reja mbi privatësinë dhe efekti i ndryshimeve klimatike mbi barazinë sociale”, tha Osmani.

Këto sfida mund të tejkalohen bashkërisht, duke i dhënë vend kyç shoqërisë civile në këto përpjekje. Pikërisht për këtë, shoqëria civile dhe mbështetja e punës së saj, është një nga prioritetet e Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën, tha Osmani.

“Organizatat civile janë në radhët e para të përfaqësimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ato ofrojnë perspektiva, vlerësime dhe raporte të pavarura për çështje lidhur me lirinë e medias, proceset zgjedhore dhe të drejtat e pakicave dhe u bëjnë thirrje qeverive të demonstrojnë përgjegjësi. Ato i ndihmojnë OSBE-së dhe janë partner kyç në identifikimin dhe krijimin e masave konkrete në terren”, theksoi Osmani në fjalimin e tij, si dhe shtoi se mendimet e tyre janë një mbështetje e madhe për përpjekjet e përbashkëta, qëllimi përfundimtar i të cilave është që shoqëritë t’i bëjnë të sigurta, të lira, demokratike dhe të drejta.

Një nga rezultatet kyçe të Konferencës do të jetë identifikimi i fushave ku vendet-pjesëmarrëse të OSBE-së mund ta përmirësojnë mënyrën e realizimit të obligimeve, të cilat para se gjithash do të nënkuptojë përditshmëri më të mirë për qytetarët, pa frikë nga lufta, shtypje ose heshtje, tha Osmani.

“Në zemër të çdo lëvizjeje për të drejtat e njeriut është besimi se çdo individ, pa marrë parasysh prejardhjen e tij ose rrethanat, posedon të drejta dhe dinjitet të lindur. Këto të drejta janë universale, të pandashme dhe të ndërvarura”, tha Osmani.

Kjo Konferencë është dëshmi për fuqinë e bashkëpunimit, multilaterali mit dhe pranimit se puna e organizatave civile, qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare është e lidhur mes vete, përfundoi Osmani.

Konferenca e OSBE-së mbi Dimensionin Njerëzor në Varshavë do të zgjasë dhjetë ditë dhe paraqet një nga konferencat më të mëdha për të drejtat e njeriut në Evropë, e cila bashkon përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, organizatat civile, organizata ndërkombëtare dhe ekspertë nga fusha e të drejtave të njeriut.

Exit mobile version