Zv. kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për çështjet evropiane, Bujar Osmani, do të jetë kreu i ekipit negociues politik në procesin e skriningut të KE-së. Këshilltari i Kryeministrit Bojan Mariçiq do të ngarkohet për pjesën teknike të procesit, njoftojnë nga televizioni “Telma”.
Procesi i skriningut të komisionit fillon nesër me ardhjen e Komisionerit për Zgjerimit të BE-së Johannes Hahn. Han tha disa ditë më parë se skriningu fillon me kapitujt 23 dhe 24, domethënë sundimi i ligjit, gjyqësori, korrupsioni, liria dhe siguria. Hahn do të takohet me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe kreun e opozitës, Hristijan Mickoski, ndërsa do të ketë fjalim edhe para anëtarëve të Këshillit Kombëtar për Eurointegrime.
Pas përfundimit të skriningut, Komisioni duhet të përgatisë një raport për të vlerësuar nëse Maqedonia është gati të bashkohet me BE-në. /Telegrafi/