Site icon Telegrafi

Bugaqku: Pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ, Qeveria kalon me automatizëm në Qeveri në dorëheqje

Foto: Arkiv

Pasditen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja.

Certifikimi bëhet pasi kanë kaluar të gjitha afatet e ankesave të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe në Gjykatën Supreme.

Fillimisht, para se të certifikohen rezultatet, anëtarët e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, që kanë fituar votat e mjaftueshme për postin e deputetit, sipas Ligjit për qeverinë, duhet të japin dorëheqje “para ditës së certifikimit”.

Por, çfarë ndodh nëse anëtarët e Qeverisë në detyrë nuk japin dorëheqje?

Vullnet Bugaqku nga KDI në një prononcim për Telegrafin ka shpjeguar se si shkon procesi nëse anëtarët e Qeverisë së Kosovës nuk japin dorëheqje para certifikimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga KQZ-ja.

Vullnet Bugaqku nga KDI

Bugaqku tha se Ligji për Qeverinë përcakton procedurat e dorëheqjes, por ka paqartësi në lidhje me momentin kur një deputet ose anëtar i Qeverisë duhet të japë dorëheqje dhe kur mund të quhet Qeveria në dorëheqje, për shkak të mungesës së qartësisë në proces.

“Megjithatë neni 26 i Ligjit e thotë që anëtarët e qeverisë që janë në detyrë, në këtë rast që janë ende në funksion, në momentin që të zgjidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe në këtë rast ata janë veçse të ditur botërisht që janë deputetë të zgjedhur, ata duhet të japin dorëheqje nga posti i ministrit para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, sepse ashtu e kërkon shprehimisht dispozita e nenit 26 të Ligjit për Qeverinë.

Edhe nëse hipotetikisht ata nuk japin dorëheqje sot, por KQZ-ja i certifikon atëherë Ligji për Qeverinë e ka një dispozitë tjetër e cila thotë që në momentin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve përfundon mandati i rregullt i deputetëve të vjetër dhe rrjedhimisht edhe i Kuvendit si dhe Qeveria që është në detyrë shndërrohet apo kalon në Qeveri në dorëheqje, pra me automatizëm…”, shpjegoi ai.

Mirëpo, siç tha Bugaqku menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë nuk është formimi i Qeverisë, por ai i konstituimit të përbërjes së re parlamentare.

Ai tha se pas certifikimit të rezultateve Presidentja duhet ta thërras seancën konstituive të Kuvendit e cila seancë duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga momenti i certifikimit.

Pas kësaj, Bugaqku nga KDI theksoi se gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët e Kuvendit. /Telegrafi/

Exit mobile version